
Një përkrahje e heshtur, por e turpshme, është duke ngjarë në Maqedoni të Veriut. Levica, një parti e ekstremit të mjatë e me qendrime anti-shqiptare, është duke e ndihmuar BDI-në e udhëhequr nga Ali Ahmeti. Si dhe pse janë dy pyetje që kërkojnë përgjigjen.
Le të fillojmë nga si-ja, pra nga mënyra e përkrahjes së Levicës për BDI-në. Levica ka kandiduar kandidatë në disa komuna me shumicë shqiptare, ku jeton edhe një pakicë e konsiderueshme maqedonase.
Më saktë, Levica ka kandiduar me kandidatë në Tetovë, Gostivar e Strugë, pra tri komuna me shumicë shqiptare. Në kët komuna, Levica ka kandiduar për kryetar, duke tentuar të relativizojnë votën kundër BDI-së, shkruan Gazeta Politika.
Për më shumë, Levica nuk ka kandiduar në disa komuna me shumicë maqedone. Në lidhje me këtë temë, pra me “përkrahjen e turpit” mes Levicës e BDI-së, ka folur edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ai ka vu në spikamë këtë përkrahje të Levicës ndaj BDI-së.
“Kjo është një mënyrë tjetër për t’i hedhur një litar shpëtimi Ali Ahmetit dhe BDI-së. Pse? Këtu do të jap një shembull shumë të thjeshtë në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë. Nëse ata vërtet po konkurrojnë për të fituar, dhe nuk kanë as një shans teorik për të fituar atje, në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, pse nuk e paraqesin kandidatin e tyre, le të themi në Veles? Pse nuk e paraqesin kandidatin e tyre në Shtip? Anëtarët më me ndikim të udhëheqjes së partisë politike vijnë nga atje, ku ata kanë gjasa të vërteta për të konkurruar dhe fituar. Pse pikërisht në Tetovë? Pse pikërisht në Gostivar dhe Strugë ku as populli i Tetovës, as populli i Gostivarit dhe as populli i Strugës nuk do të votojnë për një parti të quajtur BDI. Cili është qëllimi i tyre? Qëllimi i tyre është të shpërndajnë votat anti-BDI. Ky është thelbi. Të zvogëlojnë forcën e votave anti-BDI, në mënyrë që BDI të dalë në përparësi në raundin e parë”, theksoi Mickoski, transmeton Gazeta Politika.
“Qytetarët do ta shohin këtë dhe e vërej ë tashmë, se qëllimi ynë në këto zgjedhje është që BDI-ja e pafuqishme të mposhtet dhe të përjashtohet përgjithmonë nga skena politike në Maqedoni. Ky është thelbi i këtyre zgjedhjeve. Dhe duhet të mposhtet, por kemi këta njerëz nga Levica që po përpiqen të ndihmojnë BDI-në dhe po u hedhin një litar shpëtimi” – ka shtuar Mickoski.
Kush është Levica?
Levica, parti e udhëhequr nga Dimitar Apasiev, është e majtë ekstreme, ndonëse njëkohësisht edhe parti e nacionalizmit ekstrem maqedon. Në shumë raste, Levica ka kundërshtuar integrimin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Levica është kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe në institucione, duke kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit. Tutje, Levica ka kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, Levica ka qëndrime politike euroskeptike, duke kundërshtuar integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Prandaj, duket krejtësisht paradoksale e absurde që BDI-ja, që vitin e kaluar e themeli “Frontin Evropian”, të bashkëpunojë me një parti euroskeptike e me qëndrime kundër Kosovës e integrimit shqiptar në Maqedoni të Veriut.



