
Një përplasje e pazakontë verbale ka ndodhur të mërkurën në Kuvendin e Serbisë ndërmjet ish-presidentit Aleksandar Vuçiq dhe deputetit të Listës Studentore, Zlatko Kokanović.
Incidenti ndodhi gjatë vazhdimit të seancës konstituive të legjislaturës së re, ndërsa Vuçiqi po kritikonte Radio-Televizionin e Serbisë për zhvendosjen e transmetimit të seancës nga RTS 1 në RTS 2.
Gjatë fjalimit të tij, Vuçiqi iu drejtua disa herë Kokanovićit, i cili po qeshte dhe po reagonte nga banka parlamentare.
“Çfarë është për të qeshur, Kokanović? A po kërcënoni? T’jua hedh sëpatën?”, i tha Vuçiqi deputetit, duke e sulmuar edhe për nivelin e tij të arsimimit.
Kokanovići më pas i dërgoi Vuçiqit një puthje me gjest nga banka ku ishte ulur. Ish-presidenti serb reagoi menjëherë, duke e cilësuar veprimin si ngacmim seksual.
“Mos më dërgoni puthje, unë nuk jam nga ata. Këtë e kuptova si ngacmim seksual”, deklaroi Vuçiqi.
Ai vazhdoi me komente për orientimin seksual të Kokanovićit, duke thënë se deputeti mund t’ua dërgonte puthjet kolegëve të vet dhe se nuk kishte asgjë kundër personave me orientim tjetër seksual.
“Nuk e dija se ishit njëri prej tyre”, tha ndër të tjera Vuçiqi, përpara se ta vazhdonte fjalimin për zhvillimet në Kuvend.
Pamjet e këtij momenti janë transmetuar nga seanca dhe më pas janë shpërndarë gjerësisht në mediat serbe dhe në rrjetet sociale. Vetë Vuçiqi e ka publikuar videon në llogarinë e tij në platformën X.
Seanca konstituive po zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, në të cilat Lista Studentore fitoi 140 mandate dhe siguroi shumicën në Kuvendin prej 250 deputetësh. Në rendin e ditës është edhe zgjedhja e kryetarit të ri të parlamentit.



