Ali Ahmeti shpërthen kundër Kurtit: Doli krah Mickoskit dhe vrau shpirtërisht çdo ish-ushtar të UÇK-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratën e tij se gjuha shqipe nuk ka qenë asnjëherë gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ahmeti tha se deklarata e Kurtit e ka goditur rëndë, jo vetëm atë, por edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Goxha keq kryeministri juaj më ka goditë në shpirt. Po pse më goditi aq shumë në shpirt?”, deklaroi Ahmeti.

Për ta shpjeguar reagimin e tij, kreu i BDI-së kujtoi sakrificën e dëshmorëve të vitit 2001, duke përmendur nënën e dëshmorit Afrim Kalanica, të cilën tha se e kishte parë pranë varrit të të birit në Sllupçan.

“Kur nëna e Afrim Kalanicës m’u kujtua ulë te varri që është te dëshmorët e Sllupçanit. Asnjë nënë që janë vra këtu djemtë, që kanë derdhë gjak, nuk i kanë marrë andej. Të gjithë i kanë pranë shokëve të vet, këtu. Dhe lotët i binin te guri i varrit. Për çka u vra Afrim Kalanica? A me dalë kryeministri juaj me thënë që gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare? Turp!”, tha Ahmeti.

Ai e akuzoi Kurtin se me këtë qëndrim kishte dalë në mbështetje të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

“Del krah Hristijan Mickoskit dhe thotë: ‘Gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare’. Tri herë kam kërkuar publikisht të prononcohet: a është keq i informuar nga informatorët që i ka apo shqiptarët që i ka? Nuk e ka bërë”, deklaroi kreu i BDI-së.

Sipas Ahmetit, deklarata e kryeministrit të Kosovës ishte përdorur për rreth një muaj nga mediat në Maqedoninë e Veriut si argument për pretendimin se shqipja nuk kishte qenë gjuhë zyrtare.

“Një muaj ditë nuk e kanë hequr nga ekranet televizive: ‘Ja deklarata e kryeministrit të Kosovës: gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare në Maqedoni’”, tha ai.

Ahmeti e përfundoi reagimin duke thënë se deklarata e Kurtit kishte lënduar shpirtërisht ish-pjesëtarët e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.

“Kjo më ka vrarë shpirtërisht. Kjo ka vrarë shpirtërisht çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pjesëtarët që i ka në Kosovë. Mbi tre mijë ushtarë i ka në Kosovë Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, deklaroi Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.