
Java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të karakterizohen nga një ndryshim i ndjeshëm i motit në Kosovë. Sipas parashikimit javor të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), fillimi i javës do të dominohet nga temperatura shumë të larta, ndërsa nga mesi i javës pritet depërtimi i një mase më të freskët ajrore që do të sjellë reshje shiu, shkarkime rrufesh dhe ulje të temperaturave.
Dita më e nxehtë parashihet të jetë e hëna, kur temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta kalimtare, ndërsa temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius.
Të martën moti do të mbetet i nxehtë, me temperatura maksimale deri në 35 gradë Celsius. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat në disa zona mund të sjellin reshje lokale shiu.
Ndryshimi më i madh i motit pritet të mërkurën. Sipas IHMK-së, gjatë ditës do të ketë reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh, ndërsa në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe e erërave të përkohshme më të fuqishme. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 30 deri në 34 gradë Celsius.
Rënia më e ndjeshme e temperaturave pritet të enjten, kur maksimalet do të zbresin në 24 deri në 27 gradë Celsius. Moti do të jetë kryesisht me diell, por në disa zona mund të ketë reshje të izoluara shiu gjatë pasdites.
Edhe të premten parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa rajone mund të ketë reshje të shkurtra lokale. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 25 deri në 28 gradë Celsius.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore dhe Jugperëndimore vazhdojnë të përballen me valë intensive të të nxehtit. Në disa rajone të Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Italisë temperaturat po tejkalojnë 40 gradë Celsius, si pasojë e depërtimit të masave shumë të nxehta ajrore nga Afrika Veriore dhe ndikimit të një fushe të fuqishme anticiklonike.



