Jeta Xharra dhe BIRN i kundërpërgjigjen Halil Thaçit: Je i dyshuar, jo dëshmitar – do ta padisim për shpifje

BIRN Kosova dhe Internews Kosova, së bashku me drejtoreshën e BIRN-it, Jeta Xharra, kanë reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, i cili pas intervistimit në Prokurorinë Speciale akuzoi KALLXO.com për shantazh.

Në reagimin e tyre, ata i cilësojnë deklaratat e Thaçit si shpifje të rënda dhe të pabazuara, duke bërë të ditur se ndaj tij do të ushtrohet padi për shpifje.

banner

Sipas BIRN-it, Halil Thaçi është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale si person i dyshuar për ndikim në procesin e shpronësimeve në Shipitullë dhe jo si dëshmitar, siç kishte deklaruar ai para mediave.

“Ai është marrë në pyetje sot në Prokurori si person i dyshuar për ndikim në shpronësime dhe ka tentuar ta kamuflojë lajmin për intervistimin e tij si i dyshuar me një shpifje të paskrupullt për kinse ‘shantazh’ nga ekipi i KALLXO.com”, thuhet në reagim.

BIRN dhe KALLXO kanë mohuar kategorikisht pretendimet për shantazh, duke theksuar se Halil Thaçi ishte kontaktuar më 5 qershor 2024, më shumë se një muaj para publikimit të hulumtimit për shpronësimet në Shipitullë, vetëm për t’iu dhënë mundësia të paraqiste versionin e tij, në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë.

Sipas tyre, i gjithë komunikimi me Thaçin është i incizuar dhe në asnjë telefonatë, mesazh apo e-mail nuk është kërkuar ndalimi ose mospublikimi i hulumtimit.

“BIRN Kosova dhe Internews Kosova kanë reaguar ndaj deklaratave të bëra nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, sot para Prokurorisë Speciale, në të cilat ai ka pretenduar se është shantazhuar gjatë hulumtimit të rastit që lidhet me shpronësimet në Shipitullë.Reagimi i plotë:Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, sot në një deklaratë publike ka lansuar një shpifje të rëndë, të pabazuar dhe me qëllim të sulmit të drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë hulumtuese dhe punës së ekipit të KALLXO.com lidhur me hulumtimin “Ndërhyrja e deputetit të Vetëvendosjes në shpronësimet në Shipitullë”, të transmetuar më 13.07.2024.

këtë hulumtim, Halil Thaçi është incizuar (min 11:50) duke premtuar se, në cilësinë e deputetit, do të ndikonte te anëtarët e Komisionit për Miniera dhe Minerale lidhur me shpronësimet me vlera të larta në Shipitullë të Obiliqit.Ai është marrë në pyetje sot (15.07.2026) në Prokurori si person i dyshuar për ndikim në shpronësime dhe ka tentuar të kamuflojë lajmin për intervistimin e tij si i dyshuar me një shpifje të paskrupullt për kinse “shantazh” nga ekipi i KALLXO.com.Në asnjë rast, Jeta Xharra, drejtoresha e BIRN-it dhe Shqipron Xhema, autor i këtij hulumtimi, e as stafi i KALLXO.com nuk e kanë kontaktuar z. Thaçi për qëllime të tjera, përveç zbatimit të obligimit etik që ai të ketë të drejtën t’u përgjigjet akuzave për përfshirjen e tij në aferën e shpronësimeve.Pra, më 05.06.2024, më shumë se 1 muaj para se të publikohet hulumtimi, Halil Thaçi është kontaktuar nga autori i hulumtimit, Shqipron Xhema, për të dhënë anën e tij. I tërë komunikimi me z. Thaçi është i incizuar dhe në asnjërën prej telefonatave, mesazheve apo e-maileve nuk është diskutuar për mospublikimin e materialeve siç pretendon z.Thaçi. 

z.Thaçi. Për më shumë, janë bërë dy vjet prej se është publikuar hulumtimi dhe përgjatë kësaj periudhe Thaçi nuk është ankuar që ka pasur “shantazh” nga ekipi i Kallxo.com, por i ka rënë në mend sot që thirrja jonë për të marrë anën e tij para dy vjetësh paska qenë “shantazh”.Shtrohet pyetja, nëse qenka shantazhuar para dy vjetësh nga ekipi jonë, pse z. Thaçi mori pjesë në debatet e Kallxo.com për kryetar të komunave në vitin 2025? Për të mbrojtur punën tonë etike, profesionale dhe të pavarur, ne do të ushtrojmë me urgjencë padi për shpifje ndaj z.Thaçi për sulmin e paprecedentë të tij ndaj gazetarisë hulumtuese.Ky sulm ndaj ekipit tonë është një përpjekje për të demonizuar hulumtimet për korrupsionin dhe për të penguar gazetarët profesionistë në ushtrimin e detyrës së tyre.

Për këtë sulm të rëndë, KALLXO pret një distancim të qartë dhe serioz nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.Lusim mediat që shpifjet e tilla të mos i publikojnë apo të paktën të marrin mundin t’i verifikojnë para publikimit.  Rrethanat e kësaj ngjarjeje janë si vijon:Denoncuesit e aferës së shpronësimeve kanë sjellë në redaksinë e Kallxo.com materialet ku Halil Thaçi – asokohe si deputet – dëgjohet duke premtuar ndryshimin e vijave të shpronësimeve në Shipitullë. Pas pranimit të materialeve më 05.06.2024 ekipi i kallxo e ka kontaktuar z. Thaçin në telefon për të dhënë versionin e tij për ngjarjen. Ai është kontaktuar edhe disa herë me kërkesë që të japë intervistë për ngjarjen, ndërsa pas rreth 40 ditësh hulumtimi është publikuar. Të gjitha kontaktet e ekipit me z.Thaçi janë të incizuara dhe një pjesë e madhe e tyre janë transmetuar në emisionin tonë. Në asnjërën prej këtyre përmbajtjeve të incizuara nuk ka kërkesa për ndaljen e hulumtimit apo për mospublikimin e hulumtimit.

Për çdo rast, redaksia e Kallxo.com është e gatshme të përgjigjet në secilën pyetje për këtë dhe për rastet e tjera. Ne mund të japim përgjigjet edhe për kamerat e mediave të interesuara të cilat mund të na kontaktojnë në adresën tonë fizike te Menza e Studentëve, në telefonin tonë +383 44 22 44 98  apo në emaillin info@kallxo.com Për të gjithë publikun hulumtimi i plotë i transmetuar është në këtë vegzë”, thuhet në reagim.

Edhe Jeta Xharra reagoi veçmas, duke e akuzuar Halil Thaçin për gënjeshtër.

“Pra, Halil Thaçi jo vetëm që je tu rrejt që ekipi jem (apo une) të kemi shantazhu por u nxune në rrenë edhe tu i thanë gazetarëve që je intervistu si dëshmitar kur në fakt Prokuroria po thot je marrë në pytje si i PANDEHUR (po ta spjegoj ma thjeshtë, i dyshuar je, ti je i dyshuar, jo na – mos t’vjen inati tash!). Nashta o mire mos me rrejt se rrena ka kamt e shkurta?
Ti qysh dush, ndaq vazhdo me rrejt se na qet punë e kemi, me t’i qit rrenat në shesh por për të mirën tande, po them nashta të del ma mirë në karierën tande mos me rrejt? Meno për ketë propozim temin.
Ky është rast i mirë me ja lshu nje sy një hulumtimi të mirë te kolegut tim Shqipron N. Xhema qe e ka publiku ne korrik 2024 lidhur me dallaveret në shpronësime, hulumtim qe e ka bo nervoz Halilin ashiqare!
PS. Krejt mediat që janë duke raportu për shpifjet e HT i ftoj me e marrë anën tonë duke e cituar reagimin më poshtë si dhe nëse janë të intwresuar për me xhiru reagimin, i presim në zyret tona”, ka shkruar Xharra.

Çka tha Halil Thaçi:

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale, ku u mor në pyetje lidhur me dyshimet për ushtrim ndikimi në procesin e shpronësimeve të planifikuara nga KEK-u në fshatin Shipitullë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi i mohoi akuzat, duke thënë se rasti është “i përgatitur nga rivalët e tij politikë” dhe se nuk ka ushtruar asnjë ndikim në procesin e shpronësimeve.

“Është një temë e përgatitur moti prej rivalëve të mi politikë. Jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka nisur të merret me këtë çështje dhe ta hetojë deri në fund. Kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm”, deklaroi ai.

Thaçi pranoi se ka biseduar me banorët e Shipitullës dhe Hadres, por tha se këtë e ka bërë për të ngritur shqetësimet e tyre, duke theksuar se këto fshatra janë diskriminuar në procesin e shpronësimeve.

Ai hodhi akuza edhe ndaj medias Kallxo.com, duke pretenduar se është tentuar të shantazhohet para publikimit të audio-incizimit.

“Te prokurori kam treguar se për tre muaj më kanë telefonuar nga Kallxo.com. Vetë pronarja e Kallxo.com ka kërkuar takim që të mos publikohej videoja. Nuk kam rënë pre e shantazheve të mediave dhe nuk kërcënohem. Tregoji Jeta Xharrës që nuk shantazhohem”, u shpreh Thaçi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.