Kosova arreston edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

Në një njoftim për media të dielën, Policia e Kosovës tha se pas urdhrit nga prokurorët e ka arrestuar një të dyshuar me inicialet J.R.

banner

“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Policia nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit, por shtoi se ai u kap pas një pune intensive hetimore në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me rastin e Zubin Potokut, pasi dy burra të tjerë po mbahen tashmë në paraburgim, po ashtu, nën dyshimin për krime lufte.

Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.