
Lideri i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti e ka shoqëruar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në një vizitë në Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ku e ka njoftuar nga afër me ecurinë e punimeve.
Vizita është zhvilluar menjëherë pas ceremonisë së vendosjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë, ku Kurti mori pjesë së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Mexhiti, së bashku me kolegët e tij nga VLEN-i, i ka prezantuar Kurtit projektin e kampusit të ri dhe rëndësinë që ai pritet të ketë për arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
“Menjëherë pas vendosjes së gurthemelit të autostradës Shkup–Bllacë, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kolegët e mi nga VLEN-i, vizituam punimet për ndërtimin e Kampusit të ri të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup”, ka shkruar Mexhiti.
Ai e ka lidhur simbolikisht vizitën në universitet me nisjen e autostradës Shkup–Bllacë.
“Një rrugë po e afron Shkupin me Prishtinën. Një universitet po u hap rrugë gjeneratave që vijnë”, ka thënë Mexhiti.
Sipas tij, autostrada dhe kampusi i ri përfaqësojnë dy investime që synojnë ta forcojnë lidhjen e shqiptarëve në rajon, njëri përmes infrastrukturës dhe tjetri përmes arsimit.
Mexhiti ka theksuar se Kampusi i ri i Universitetit “Nënë Tereza” është, sipas tij, investimi më i madh deri më tani në arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka përmendur edhe simbolikën e datës 26 gusht, ditëlindjen e Nënë Terezës, duke theksuar se në Shkupin e saj të lindjes po ndërtohet një universitet që mban emrin e saj.
“Këto nuk janë më premtime të shkruara në letër. Janë vepra që po ndërtohen dhe po marrin jetë para syve tanë”, ka shkruar Mexhiti.



