Bill Clinton mbush 80 vjeç, presidenti amerikan që ndërhyri për t’i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, feston sot, më 19 gusht, 80-vjetorin e lindjes.

Clinton, i lindur më 19 gusht 1946, zë një vend të veçantë në historinë moderne të Kosovës për shkak të rolit të tij vendimtar gjatë luftës së vitit 1999.

banner

Në kohën kur Clinton ishte president i SHBA-së, më 24 mars 1999 NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave të atëhershme jugosllave dhe serbe. Në fjalimin drejtuar amerikanëve atë natë, Clinton deklaroi se SHBA-ja dhe aleatët po vepronin për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake dhe për të parandaluar zgjerimin e luftës. 

Fushata ajrore e NATO-s zgjati 78 ditë dhe përfundoi pasi forcat serbe nisën tërheqjen nga Kosova. Më 10 qershor 1999, Clinton deklaroi se qëllimet e ndërhyrjes kishin qenë largimi i forcave serbe, vendosja e një force ndërkombëtare të sigurisë me NATO-n në qendër dhe kthimi i kosovarëve në shtëpitë e tyre. 

Një ditë më vonë, duke iu drejtuar kombit amerikan, Clinton e përshkroi përfundimin e fushatës si ndalje të agresionit dhe spastrimit etnik, duke theksuar se rreth një milion njerëz të dëbuar nga Kosova po përgatiteshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. 

Roli i administratës së Clintonit dhe ndërhyrja e NATO-s më 1999 kanë bërë që ish-presidenti amerikan të mbetet një prej figurave ndërkombëtare më të lidhura me historinë e Kosovës.

Sot, në 80-vjetorin e tij, Clinton kujtohet në Kosovë veçanërisht për vendimin e administratës së tij për t’u përfshirë ushtarakisht në pranverën e vitit 1999, në një nga momentet më vendimtare për vendin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.