
Ish-diplomati amerikan thotë se çështjet kryesore për presidentin amerikan janë Kina, Rusia, Ukraina dhe Irani, ndërsa Kosovën e sheh më shumë në fokus të Departamentit të Shtetit.
Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk e ka Kosovën ndër çështjet me prioritet të lartë.
Në një intervistë për emisionin Jehona Politike në Klan Kosova, Rubin tha se aktualisht agjenda e Trumpit dominohet nga sfidat me Kinën, Rusinë, Ukrainën, Iranin, Venezuelën dhe politikat tregtare me vendet e tjera të botës.
“Pra, nuk mendoj që është në pikat e para në mendjen e tij. Nuk mendoj që Trumpi ka gjasa që të angazhohet. Është më shumë çështje që do të merret Departamenti i Shtetit, pra nuk do të brengosesha për këtë”, u shpreh Rubin.
Ai i dha edhe një këshillë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që të përgjigjet ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në lidhje me dialogun me Serbinë, duke e vendosur barrën mbi Beogradin.
“Serbia është i vetmi vend në rajon ku propaganda dhe ndikimi rus janë të pranishme. Kur Shtetet e Bashkuara e kuptojnë këtë, atëherë gjasat janë më të vogla që t’i vështirësojnë gjërat për Kosovën. Prandaj, përgjigjet e Kurtit duhet të sigurojnë që barra të bjerë mbi Serbinë për kompromis, sepse janë ata që punojnë ngushtë me Rusinë,” theksoi ai.
Në fund të intervistës, Rubin foli edhe për dëshminë e tij në Hagë në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si “privilegjin e jetës së tij”.
“Ka qenë privilegj i jetës sime që të jem aty, atëherë kur mund t’i ofronim ndihmë popullit të Kosovës dhe ende krenohemi me këtë,” u shpreh Rubin.



