
Diplomati amerikan theksoi se SHBA është krenare që ndihmon FSK-në të bëhet forcë shumetnike dhe partnere e NATO-s, duke u bërë thirrje institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se prioritet i Uashingtonit mbetet siguria e Kosovës dhe stabiliteti i saj.
“Nuk e di përgjigjen. Mund të them vetëm se është prioritet amerikan që Kosova të jetë e sigurt. Jemi krenarë që po ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës të bëhet një forcë shumetnike, e aftë të punojë me NATO-n dhe me misionin e mbrojtjes territoriale. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë dhe stabilitetit,” tha Hovenier.
Ai shtoi se administrata aktuale amerikane ka treguar gatishmëri të ndërmarrë hapa që, sipas tij, nuk janë marrë nga administratat e kaluara.
“Do të thosha se kjo administratë – pjesë e së cilës nuk jam – ka qenë më e gatshme për të ndërmarrë veprime që administratat e tjera nuk i kanë marrë. Prandaj, çdo qeveri e Kosovës duhet të sigurohet që të bashkëpunojë ngushtë me SHBA,” theksoi ambasadori amerikan për REL.



