Kurti prezanton projektin për 773 banesa sociale në 21 komuna

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrat Fitore Pacolli-Dalipi dhe Andin Hoti, kanë prezantuar projektin e Banimit Social Adekuat, me vlerë të përgjithshme prej rreth 37 milionë eurosh.

Sipas Kurtit, projekti do të shtrihet në 21 komuna dhe parasheh 773 njësi banimi për familjet përfituese.

banner

“Bashkë me ministrat Fitore Pacolli-Dalipi dhe Andin Hoti prezantuam projektin e Banimit Social Adekuat, një investim i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se komunat do të jenë të përfshira drejtpërdrejt në zbatimin e projektit, përfshirë procedurat e prokurimit dhe përzgjedhjen e familjeve përfituese.

“Vlera e gjithmbarshme e projektit është rreth 37 milionë euro dhe shtrihet në 21 komuna, të cilat janë partnere të rëndësishme në zbatim, sepse nëpërmjet tyre kalojnë edhe procedurat e prokurimit, por edhe përzgjedhja e familjeve përfituese për 773 njësi banimi”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se paralelisht po zhvillohet edhe projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social, i cili aktualisht është në fazën e zbatimit në Pejë, Istog, Podujevë dhe Gjilan.

“E drejta për jetë, e drejta për banim, barazia mbi të gjitha, jo vetëm si synim i përbashkët, por edhe si pikënisje pa dyshim mbeten vlerat nga të cilat nisim e shkojmë, me të vetmin qëllim, që shteti të jetë për krejt sepse krejt jemi të këtij shteti”, ka shkruar Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.