
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë konstatuar përmbajtje të Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin “Land” 3.2% të prodhuar nga qumështorja Vita. Për këtë arsye, me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë produkti është tërhequr nga tregu.
AUV ka thënë se ka vepruar në përputhje me Ligjin për Ushqim sipas të cilit ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për njerëzit kur përmban mykotoksinë mbi kufirin e lejuar. Po ashtu, AUV ka filluar kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar informacion zyrtar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut për konstatimin e Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin UHT “Land” 3.2%, të prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA), stabilimenti RKS-014”, thuhet në njoftim.
AUV njoftoi tutje se do të përcaktojë masat e mëtejshme lidhur me stabilimentin “Qumështorja VITA”.
Postimi i tij i plotë:
NJOFTIM PËR MEDIA
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar informacion zyrtar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut për konstatimin e Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin UHT “Land” 3.2%, të prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA), stabilimenti RKS-014.
Në përputhje me nenin 16, paragrafin 1.2 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, sipas të cilit ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për njerëzit kur përmban mykotoksinë mbi kufirin e lejuar, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT “Land” 3.2% të identifikuar si të prekur dhe ka filluar kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë.
AUV, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, do të përcaktojë masat e mëtejshme lidhur me stabilimentin RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA).
Opinioni publik do të informohet për masat dhe zhvillimet e mëtejshme.



