
Ish-këshilltari i Wesley Clark tha në Hagë se komuniteti ndërkombëtar kërkonte të kuptonte marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa diplomatë si ai kishin detyrë të shpjegonin realitetet shoqërore pas komunizmit.
Diplomati britanik John Stewart Duncan ka deklaruar në Gjykatën Speciale të Hagës se pas rënies së komunizmit në Shqipëri, një nga shqetësimet kryesore të komunitetit ndërkombëtar ishte ideja e “Shqipërisë së Madhe”.
“Ka pasur një aspekt tjetër që besoj se ju e kuptoni: ideja e Shqipërisë së Madhe e shqetësonte komunitetin ndërkombëtar. Dhe kur Shqipëria doli nga komunizmi, ky ishte një nga shqetësimet kryesore. Ata donin të kuptonin marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe shqiptarëve në përgjithësi. Unë duhej të isha i fokusuar në këtë aspekt, të bisedoja me persona të ndryshëm dhe t’ua shpjegoja eprorëve të mi nëse kjo ishte një mundësi reale apo jo, nëse kishte dallime mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës”, tha Duncan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai shtoi se ai dhe eprorët e tij ishin të interesuar të kuptonin nga afër shoqërinë shqiptare pas daljes nga një izolim 46-vjeçar komunist.
“Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vite dhe unë isha vërtet i interesuar se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte themeli i detyrës sonë si diplomatë. Ne duhet t’ua shpjegojmë eprorëve tanë si funksionon një shoqëri, çfarë ndodh aty, si ndikojnë pushtetet, çfarë mund të ndikohet tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati: të japë një pasqyrë të plotë të shoqërisë përpara eprorëve”, tha ai.



