
Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte një mbledhje të jashtëzakonshme, pas së cilës ka njoftuar se nesër do t’i votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
Në njoftimin e saj, VV-ja thotë se vendi ndodhet në një moment vendimtar për stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja.
“U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja, të panevojshme për shtetin e qytetarët dhe të kushtueshme për buxhetin e të ardhmen”, thuhet në njoftim.
VV-ja rikujton se vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër në orën 10:00.
Partia thotë se deri tash ka qenë e gatshme të votojë kandidatë të PDK-së dhe LDK-së vetëm nëse ata nuk e bojkotojnë procesin e zgjedhjes së presidentit.
Megjithatë, Kryesia ka vendosur që nesër t’i votojë edhe Vlora Çitakun edhe Kujtim Shalën.
“Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala”, thuhet në njoftim.
VV-ja thotë se pret që ky “hap i vullnetit të mirë” të pasohet me konstruktivitet nga Çitaku dhe Shala në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër.”
Vetëvendosje ka rikujtuar edhe situatën e vitit 2025, kur, sipas saj, kishte ndryshuar katër herë kandidatin për kryetar të Kuvendit para zgjedhjes së Dimal Bashës.
“E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne”, thuhet në reagim.
Për Çitakun, VV-ja ka bërë të ditur se do ta votojë sapo PDK-ja ta ripropozojë.
“Nesër në mëngjes deputetët e PDK-së porsa ta ripropozojnë Vlora Çitakun (e cila edhe ashtu i ka edhe dy mundësi), ne do ta votojmë.”
Ndërsa për Kujtim Shalën, VV-ja ka shprehur pritjen që ai të marrë pjesë në seancën ku do të votohet Bekim Sejdiu për president, sipas marrëveshjes LVV-LDK.



