Abdixhiku pas kthimit të Ligjit për Specialen: Baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi PDK-ja kërkoi nga presidentja Justina Shiroka-Pula që ta rikthente në Kuvend Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja ishte sulmuar dhe cilësuar si kundërshtare e UÇK-së për shkak se nuk e kishte mbështetur ligjin, për të cilin kishte paralajmëruar se nuk do të prodhonte efekt juridik.

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka pyetur Abdixhiku.

Ai ka kujtuar akuzat që i ishin drejtuar partisë së tij pas kundërshtimit të ligjit.

“Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja e kishte mbajtur qëndrimin e saj pavarësisht sulmeve, pasi përgjegjësia ndaj shtetit e obligonte ta thoshte atë që e konsideronte të drejtë.

“LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës”, ka deklaruar ai.

Kreu i LDK-së u ka bërë thirrje mbështetësve të partisë që të qëndrojnë krenarë, duke pretenduar se qëndrimet e saj u kanë rezistuar zhvillimeve historike.

“Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, ai ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë dhe se duhet mbrojtur me punë dhe maturi.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.