ZPS kërkon që Thaçit të mos i zbritet paraburgimi edhe në rastin për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që koha e kaluar në paraburgim nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mos llogaritet edhe në rastin e veçantë për pengim të drejtësisë, të njohur si çështja “12”.

Në dosjen përfundimtare të Prokurorisë në këtë rast, ZPS-ja argumenton se Thaçi mbahet në paraburgim mbi bazën e dy fletarrestimeve të ndara: që nga nëntori i vitit 2020 në çështjen “06” dhe që nga nëntori i vitit 2024 edhe në procedurën për pengim të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, Rregulla 163(6) parashikon që të akuzuarve t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim para dënimit. Megjithatë, ZPS-ja argumenton se e njëjta periudhë paraburgimi nuk duhet të kreditohet në dy çështje të ndryshme.

“Sipas Rregullës 163(6), të gjithë të akuzuarit kanë të drejtë që t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim para dënimit. Megjithatë, Thaçi aktualisht mbahet në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta që janë në fuqi”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë.

Për ta mbështetur qëndrimin e saj, ZPS-ja i është referuar edhe praktikës së çështjes “Bemba et al.”, duke cituar konstatimin se, kur një person mbahet në paraburgim në bazë të fletarrestimeve në çështje të ndryshme, koha e kaluar në paraburgim mund të merret parasysh vetëm një herë.

Prokuroria argumenton gjithashtu se një qasje e tillë lidhet me efektin parandalues të dënimit në rastet për pengim të drejtësisë.

“Asnjë i akuzuar nuk do të dekurajohej nga përfshirja në veprime penguese, nëse do ta dinte se koha e kaluar në paraburgim përfundimisht do t’i zbritej nga dënimi i tij si në çështjen kryesore, ashtu edhe në procedurat për pengim”, thuhet në parashtresë.

Për këtë arsye, ZPS-ja kërkon që periudha gjatë së cilës Thaçi ka qenë njëkohësisht në paraburgim në të dyja çështjet të kreditohet vetëm në çështjen “06”.

“Duke qenë se gjatë tërë këtyre procedurave Thaçi ka qenë gjithashtu i paraburgosur në lidhje me akuzat në Çështjen 6, çdo kreditim për kohën e kaluar në paraburgim duhet të zbritet vetëm nga dënimi i tij në atë çështje”, ka argumentuar Prokuroria.

Kërkesa përbën qëndrimin e Prokurorisë në procedurë; vendimmarrja për mënyrën e llogaritjes së paraburgimit i takon trupit gjykues kompetent.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.