
Publicisti Veton Surroi ka kritikuar mënyrën se si një pjesë e skenës politike dhe publike në Kosovë po i përgjigjet aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas Surroit, në debatin e deritanishëm po bëhen dy gabime të mëdha: interpretimi i aktgjykimit si dënim kolektiv i UÇK-së dhe përpjekja që pasojat e vendimit të adresohen përmes masave politike e ndryshimeve ligjore, në vend se beteja kryesore të përqendrohet në Apel.
Ai ka kundërshtuar drejtpërdrejt formulimin e PDK-së se Gjykata e ka cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Ky konstatim është i pasaktë: Aktgjykimi nuk e ka cilësuar UÇK-në, si organizatë, si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Ai ka konstatuar ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe pjesëmarrjen në të të katër të dënuarve dhe të personave të tjerë”, ka shkruar Surroi.
Edhe njoftimi zyrtar i Dhomave të Specializuara e formulon gjetjen në raport me katër të dënuarit: sipas Trupit Gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kontribuuan në mënyrë domethënëse në një “qëllim kriminal të përbashkët” për shënjestrimin e personave të perceptuar si kundërshtarë të qëllimeve politike ose ushtarake të UÇK-së.
Surroi argumenton se kur vetë partitë dhe institucionet kosovare thonë se UÇK-ja është shpallur ndërmarrje kriminale, ato rrezikojnë ta përforcojnë pikërisht idenë e përgjegjësisë kolektive që synojnë ta kundërshtojnë.
Ai është kritik edhe ndaj nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, beteja kryesore e katër të dënuarve në këtë fazë është juridike dhe duhet të zhvillohet para Panelit të Apelit.
“Kauza e tyre para Apelit nuk është të dëshmojnë se UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje e përbashkët kriminale, por të dëshmojnë se Trupi Gjykues ka gabuar juridikisht ose faktikisht kur ka konstatuar se secili prej tyre ishte pjesëmarrës në një ndërmarrje të tillë”, shkruan Surroi.
Procesi i Apelit tashmë ka nisur proceduralisht. Më 29 shtator, Paneli i Apelit caktoi 27 nëntorin 2026 si afatin për paraqitjen e njoftimeve për apel nga mbrojtja dhe Prokuroria. Paneli përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jørgensen.
Surroi konsideron se ekipet mbrojtëse duhet të përqendrohen te sfidimi i konstatimeve mbi ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, synimin kriminal të secilit të dënuar, kontributin e tyre dhe lidhjen e krimeve me një plan të përbashkët.
Ai propozon një qasje tjetër edhe për të ardhmen e Speciales: në vend të ndryshimit të njëanshëm të mandatit të saj, Kosova, sipas tij, duhet të synojë marrëveshje politike dhe juridike me partnerët ndërkombëtarë për mbylljen e këtij mekanizmi deri më 2028.
Paralelisht, Surroi kërkon që Kosova ta shtyjë përpara anëtarësimin në Këshillin e Evropës, me synimin që të krijohet mundësia e përdorimit të sistemit evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut pas përfundimit të mjeteve juridike përkatëse.
Në përfundim, Surroi kërkon bashkim politik rreth tri çështjeve: mbrojtjen e Kosovës dhe UÇK-së nga përgjegjësia kolektive, garantimin e të drejtave të katër të dënuarve dhe respektimin e dinjitetit e të drejtave të viktimave.



