
Clint Williamson kujton hetimin e katër komandantëve të UÇK-së, të dënuar së fundmi për krime lufte, vë në pikëpyetje dështimin e Kosovës për të zbutur pritshmëritë e publikut për një pafajësi dhe reflekton mbi të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare në një kohë “mosfunksionaliteti” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Njeriu, hetimi fillestar i të cilit çoi në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk është i befasuar nga vendimi që ato morën në mes të shtatorit, 12 vjet pasi ai paraqiti gjetjet e tij.
Gjykata, e kritikuar shumë në Kosovë, i shpalli fajtorë katër ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-së, për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim çnjerëzor, torturë dhe vrasje, të kryera ndërmjet prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, të cilët më vonë u bënë përkatësisht president dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, u dënuan secili me 25 vjet burg, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan përkatësisht me 18 dhe 13 vjet. Protestat kundër vendimit vazhdojnë ende në Kosovë.
Prokurori amerikan Clint Williamson drejtoi task forcën hetimore të ngritur nga Bashkimi Evropian për të hetuar akuzat për krime lufte të paraqitura në një raport të Këshillit të Evropës nga senatori zviceran Dick Marty.
Në një intervistë për BIRN, ai tha se autoritetet në Kosovë nuk kishin arritur të zbusnin pritshmëritë e publikut se Thaçi dhe bashkë të pandehurit e tij do të shpalleshin të pafajshëm.
“Unë nuk mendoj se autoritetet në Kosovë, apo ata persona që po komentojnë për këtë çështje, bënë shumë përpjekje për të krijuar te njerëzit pritshmërinë se rezultati mund të ishte paksa ndryshe nga kjo narrativë e vetme, sipas së cilës këta individë do të shpalleshin të pafajshëm dhe do të liroheshin”, tha Williamson.



