
Ish-kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetimore, Clint Williamson, ka thënë se do të befasohej shumë nëse Dhomat e Specializuara vazhdojnë me hetime dhe raste të tjera kryesore pas përfundimit të procesit aktual ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë për BIRN me gazetaren Xhorxhina Bami, Williamson është pyetur nëse ekziston ende hapësirë për aktakuza të reja apo nëse procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së sinjalizon afrimin e fundit të punës së Speciales.
“Do të isha shumë i surprizuar nëse ka një vazhdimësi të hetimeve”, ka deklaruar Williamson.
Ai ka thënë se mund të mbeten çështje dytësore që lidhen me pretendime për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka zhvilluar edhe më herët hetime të veçanta për vepra kundër administrimit të drejtësisë.
“Mendoj se ka ende disa çështje të tjera dytësore që lidhen me frikësimin e dëshmitarëve dhe gjëra të tilla që po trajtohen nga Gjykata. Por mendoj se puna kryesore e gjykatës do të kryhet me këtë aktgjykim”, ka thënë Williamson.
Sipas tij, do të ishte befasuese nëse mandati i mekanizmit do të vazhdonte për trajtimin e rasteve të tjera.
“Unë personalisht do të isha i surprizuar nëse mandati i Gjykatës zgjatet për të shqyrtuar raste të tjera”, ka deklaruar ai.
Williamson ka qenë në krye të Task Forcës Speciale Hetimore të BE-së, hetimet e së cilës i paraprinë krijimit të Dhomave të Specializuara. Në vitin 2014, ai kishte bërë publike gjetjet e hetimit të Task Forcës, ndërsa Dhomat e Specializuara u krijuan më pas si pjesë e sistemit juridik të Kosovës, me seli në Hagë dhe me staf ndërkombëtar.
Në intervistë, Williamson ka folur edhe për të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare, duke e cilësuar periudhën aktuale si të vështirë për mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.
Ai ka thënë se shumë gjykata ndërkombëtare, hibride dhe rajonale tashmë kanë përfunduar ose po i afrohen përfundimit të punës së tyre, ndërsa ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat po përballet Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Sipas Williamsonit, në të ardhmen mund të ketë më shumë mekanizma të rinj dhe modele hibride të ngjashme me Dhomat e Specializuara, përfshirë mekanizma të krijuar në kuadër të organizatave rajonale.
Ai ka përmendur gjithashtu komisionet e së vërtetës dhe pajtimit dhe mekanizmat e dokumentimit si alternativa që mund të përdoren në raste të caktuara.
Williamson ka vlerësuar se mbështetja për drejtësinë ndërkombëtare do të vazhdojë, por format e saj mund të jenë dukshëm të ndryshme nga tribunalet që kanë funksionuar gjatë tri dekadave të fundit.



