
Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Projektligji mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm në votim, me 9 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, tha se Komisioni është ngarkuar me shqyrtimin e projektligjit dhe më pas hapi diskutimin për të.
Deputetja e LDK-së dhe anëtarja e këtij komisioni, Doarsa Kica-Xhelili, nuk ishte e pranishme në mbledhje.
Pas miratimit në parim nga Komisioni për Legjislacion, projektligji pritet të kalojë për shqyrtim në lexim të parë në Kuvend.
Për në orën 09:00 është paralajmëruar një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është pikërisht shqyrtimi në lexim të parë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.



