
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi emrat e deputetëve të saj janë vendosur në një rresht me ata të Listës Serbe, për shkak të qëndrimit të LDK-së lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
LDK-ja e ka cilësuar këtë veprim si përpjekje për linçim publik dhe kërcënim politik, duke thënë se nuk do ta ndryshojë qëndrimin për shkak të presioneve.
“Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”, thuhet në reagim.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, ka deklaruar partia.
LDK-ja ka mbrojtur qëndrimin e saj ndaj nismës për ndryshimin e Ligjit për Specialen, duke pretenduar se ajo nuk do ta prodhonte efektin juridik që po u premtohet qytetarëve.
“Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë”, thuhet në reagim.
Partia ka përmendur edhe trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës dhe orientimin perëndimor, por edhe vrasjet e veprimtarëve të saj.
“Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi”, ka deklaruar LDK-ja.
Sipas saj, mbrojtja e luftës së UÇK-së dhe kërkimi i drejtësisë për viktimat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje partive dhe udhëheqësve të tyre që të ndalin, siç e ka quajtur, gjuhën e linçimit dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit dhe përkrahësit e tyre.
“Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, përfundon reagimi.



