
Xhemail Mustafa – Vepra 5
Bandat e Beogradit kishin humbur përfundimisht sovranitetin mbi Kosovën dhe tash po përpiqeshin ta kompensojnë, ta dëshmojnë dhe ta ushtrojnë në mënyrë të egër mbi pengjet dhe të burgosurit shqiptarë. Ky është kalkulimi më bizar i politikës serbe dhe pikërisht këtë kalkulim dhe kriminel të regjimit serb Albin Kurti po e kontestonte mrekullueshëm në sallën e gjyqit në Nish.
Gjithë historia e shqiptarëve të Kosovës është pothuaj histori e qëndresës, dhe, tek po i lexoja raportet për shpërfilljen dhe refuzimin e skajshëm që po ua bënte Albin Kurti gjyqit serb në Nish dhe gjithë Serbisë kriminale, po ribindesha se shqiptarët edhe për shumë kohë do të jenë të detyruar që ta krijojnë historinë e qëndresës e të sakrificës me gjakun, me vuajtjen dhe me plagën e tyre të shpirtit e të mendjes. Ky fakt vetvetiu e bën njeriun që të ndihet me emocione të përziera dhe pothuaj përnjëherësh e provon ndjenjën e krenarisë për guximin e për energjinë e pashoqe morale të Kurtit, si dhe vetë emocionin e dhembjes për fatin e këtij të riu shqiptar dhe vuajtjet e tij nëpër burgjet serbe. Duke qenë peng i regjimit të Beogradit që nga 27 prilli i vitit që shkoi, Albin Kurti, ishte i detyruar që ose të pranojë realitetin e burgut me të gjitha konsekuencat juridike, politike e morale që nënkuptonte ky akt, ose të refuzojë me shpërfillje atë realitet për aq sa mund të shpërfillet ai, pavarësisht nga pasojat e sotme dhe të nesërme. Albin Kurti zgjodhi refuzimin dhe pa dyshim që kjo ishte një, ky veprim kaq kurajoz dhe kaq inspirativ, paralajmëronte veprimin më të jashtëzakonshëm dhe gjithsesi më të rëndë. Por, ai nuk deshi që të shfaqej para gjyqit serb për veprimet e veta politike e kombëtare si dikush i organizatës së studentëve të Kosovës dhe si sekretar i përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçi.
Përkundrazi. Duke e ndjerë veten qytetar të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po ua mohonte të drejtën gjyqtarëve serbë që ta dënonin, ua mohonte mbrojtjen private dhe zyrtare, ngase nuk ndiente nevojë fare të mbrohej, dhe, siç e tha vetë, nëse vërtet i duhej përpara akuzave serbe. Për pasojë, Albin Kurti insistonte se do të refuzonte që t’u përgjigjej gjykatësve serbë në pyetjet e tyre dhe se nuk i intereson se çfarë vendimesh do të marrin ata në fund të këtij procesi gjyqësor. Pozita është e plotë dhe me këtë konsekuencë Kurti po bëhej jo viktimë, por hero i këtij procesi. Ai po e dënonte me shpërfillje politike gjyqin serb në Nish dhe me këtë veprim po e paragjykonte përfundimin moral e politik të këtij gjyqi. Këtij veprimi dhe kësaj sjelljeje të Albin Kurtit mund t’i bëhen shumë interpretime politike dhe morale. Por, për momentin esencial është interpretimi se regjimi serb, bashkë me ushtrinë dhe policinë e vet kriminale, tërhoqi padrejtësisht dhe vetë të kidnapuarit dhe të burgosurit shqiptarë nga Kosova.
Bandat e Beogradit kishin humbur përfundimisht sovranitetin mbi Kosovën dhe tash po përpiqeshin që këtë sovranitet ta kompensojnë, ta dëshmojnë dhe ta ushtrojnë në mënyrë të egër mbi pengjet dhe mbi të burgosurit shqiptarë. Ky është kalkulimi më bizar i politikës serbe dhe pikërisht këtë kalkulim dhe këtë pretendim kriminal të regjimit serb Albin Kurti po e kontestonte mrekullueshëm në sallën e gjyqit në Nish. Por, Albin Kurti me veprimet dhe qëndrimet e tij në Nish po i jepte leksione të nevojshme edhe popullit serb. Regjimin e Beogradit ai po e quante një regjim fashist dhe nga podiumi i gjyqit në Nish po ia bënte me dije popullit serb se për të nuk do të ketë asnjë perspektivë derisa të durojë në krye Millosheviqin me bandat e tij. Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ai po e quante një luftë të drejtë e të shenjtë për pavarësinë e Kosovës dhe për çlirimin e popullit shqiptar nga regjimi fashist i Beogradit. Këtë qëndrim Albin Kurti po e artikulonte qartë politikisht dhe me këtë veprim ai po ia bënte me dije popullit serb se çfarë duhej të bënte dhe po ia mbante atij leksionin më autentik dhe domethënës pikërisht nga salla e një gjyqi serb në një qytet serb. Jo për kurrfarë krahasimi, por qëndrimin e Albin Kurtit në gjyqin e Nishit duhet ta marrin për leksion politik e moral dhe vetë politikanët e Kosovës. Aktin e vet të refuzimit ky i ri shqiptar po ua dedikonte ekskluzivisht regjimit dhe gjyqve serbe, atyre që ende po i mbajnë peng shqiptarët, që po i torturojnë dhe që po i dënojnë ata egërsisht. Ky është efekti që donte Kurti dhe ai këtë efekt e arriti në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, nga gjesti dhe qëndrimi i Albin Kurtit duhet t’i marrin leksionet e nevojshme dhe vetë politikanët shqiptarë, ata që harruan betimet e dekretet, votat e premtimet e dhëna dhe po lakohen politikisht e moralisht, si dhe po nxisin konfrontimet politike brendashqiptare dhe t’i kënaqur ambiciet dhe interesat e tyre me pushtet. Veçmas duhet të bëhen të ndjeshëm ndaj këtij veprimi kurajoz i Albin Kurtit të gjithë ata që hynë në këtë mes, ky veprim e ata politikanë që tashmë kanë filluar të harrojnë se rezistencën politike dhe më vonë luftën e armatosur i kanë nisur jo për farë autonomie të zgjeruar, e të zgjeruar, siç po thuhet e po trumbetohet tash, por për pavarësinë e Kosovës, për lirinë dhe demokracinë. Këtë mesazh duhet kuptuar drejt dhe shumë seriozisht së paku për dy arsye: një, pse qëndrimi për pavarësinë e Kosovës dhe për luftën e drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës shqiptohet fuqishëm në sallën e një gjyqi në Serbi, dhe dy, pse këtë mesazh e artikulon Albin Kurti njeriu që bashkë me Adem Demaçin pikërisht tash një vit po e refuzonin Marrëveshjen e Rambujesë, ngase ajo ishte larg përmbushjes së kërkesës së popullit për pavarësinë e Kosovës.
Nuk kam si ta harroj njërën nga konferencat e fundit të Albin Kurtit në cilësinë e sekretarit të përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, Adem Demaçi. Mospajtimet midis Zyrës, të cilën në mungesë të Demaçit e përfaqësonte Kurti, dhe udhëheqjes politike të UÇK-së gjatë shkurtit të vitit po bëheshin evidente dhe ato po thuheshin publikisht. I gjetur përballë kureshtjes dhe insistimit jo gjithherë dashamirës të gazetarëve në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, pikërisht aty ku konferencat e tyre për gazetarë i kishin mbajtur për një dekadë dr. Ibrahim Rugova dhe udhëheqës të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurti po jepte shpjegimet e nevojshme. Ai po e bënte të qartë se Zyra që përfaqësonte po kundërshtonte që t’u nënshtrohej presioneve të fuqishme të faktorëve ndërkombëtarë dhe të vetë situatës së rëndë në terren për të shkuar me çdo kusht në Rambuje, duke kërkuar pozita më të fuqishme dhe garancione më të mëdha nga faktorët ndërkombëtarë për jetësimin e vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi. Ishin të tjerët nga udhëheqja e më e lartë e luftës së armatosur, nga institucionet e atëhershme të Kosovës dhe nga partitë politike që morën vendim për të shkuar në Rambuje dhe për ta nënshkruar Marrëveshjen e arritshme politike për Kosovën. Jo as Demaçi dhe, rrjedhimisht, jo as Albin Kurti. Ata mbetën në Prishtinë dhe këto situata po i kujtojmë jo për të hapur tash diskutimet nëse është dashur ose nuk është dashur që të shkohet në Rambuje dhe që të nënshkruhet atje Marrëveshje, por vetëm për t’i kujtuar faktet si të tilla. Delegacioni i Kosovës shkoi dhe u kthye nga Rambujeja dhe Parisi, kurse kundër Adem Demaçit e Zyrës së tij, ku ishte me funksion dhe vetë Albin Kurti, në vend të vlerësimeve për kurajon e pashoqe politike e kombëtare, po përhapeshin shumë insinuata dhe po u ngjiteshin mëkatet që nuk i kishin.
Dihet se çfarë ngjau më pas. NATO-ja ndërmori fushatën e bombardimeve mbi objektivat e ushtrisë e të policisë serbe. Objekti i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u dogj që në mbrëmjen e natës së parë të sulmeve nga ajri, një milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova brenda një muaji e gjysmë, u masakruan dhe u vranë mbi dhjetë mijë shqiptarë, u dogjën fshatra e qytete të tëra, shumë nga politikanët e Kosovës u nxorën jashtë.
Por, në mesin e atyre që kishin vendosur të qëndronin në Kosovë ishin Adem Demaçi e Albin Kurti, të cilët policia serbe e arrestoi më 27 prill në Prishtinë.
Ato që ngjanë më vonë brenda këtyre ditëve, nuk ka nevojë që të rituhen. Albin Kurti që nga ajo kohë gjendet në burgjet serbe, bashkë me rreth dy mijë shqiptarë të tjerë, të cilët trajtohen si pengje. Gjithnjë nga një fotografi mjaft impresive nga filmimi i gjykimit “Rojtersit”, të cilën e botuan të gjitha gazetat shqiptare dhe mjaft gazeta evropiane, mund të thuhet se Albin Kurti nuk kishte pësuar ndonjë ndryshim, veç atyre ndryshimeve që i vetëkupton regjimi i rreptë i burgut. Ai kishte një vështrim mrekullisht të përqendruar dhe, për aq sa mund të flasë një fotografi, nëpërmjet atij vështrimi po i bënte sfidën më përçmuese regjimit kriminal serb dhe instrumenteve të tij të dhunës.
Fjalët dhe qëndrimet që i shqiptoi po atë ditë në sallën e gjyqit në Nish, ndërkaq, bënin të qartë dhe riafirmonin pa asnjë mëdyshje po ato ideale qëndrime dhe admirime që kishte më parë Albin Kurti. Përveç idealit për Republikën e Kosovës dhe për Luftën Çlirimtare të popullit shqiptar, Kurti po e ritheksonte admirimin që ndiente për Adem Demaçin, për qëndrueshmërinë e tij të shndërruar në simbol dhe për vuajtjet që pësoi ai nëpër burgjet serbe. Këto fjalë dhe këto admirime sot në Prishtinë tingëllojnë ngapak si fraza. Por, Albin Kurti këto qëndrime dhe këto admirime politike i artikuloi në gjyqin serb në Nish dhe është ky moment që u jep atyre kuptimet më sublime dhe politikisht e moralisht më domethënëse. Pa dyshim se mund të nxirren përfundime të ndryshme nga qëndrimi i këtillë kurajoz i Albin Kurtit në gjyqin serb dhe nga admirimi që ndien ai për Adem Demaçin. Por, në vend të çfarëdo përfundimi të shpejtë, po mjaftohemi me parimin e njohur se asgjë nuk është e rastit dhe se ekziston një rend i brendshëm i rreptë i gjërave dhe i proceseve. Nuk ka si të jetë i rastësishëm, prandaj, as fakti se historia e shqiptarëve, siç thamë në fillim, kryesisht është histori e qëndresës, e sakrificës dhe e heroizmit. Për fatin tonë të keq, kjo histori do të jetë e këtillë edhe për një kohë të gjatë dhe në këtë plan ekziston një kontinuitet i fuqishëm dhe i paracaktuar në shumë dimensione. Albin Kurti po bëhet pjesë e këtij kontinuiteti dhe inspirues i tij potencial.
Burimi: Xhemail Mustafa, Vepra 5, “Leksionet e Albin Kurtit”, faqet 35–41.



