
Juristi Durim Berisha ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një parashtresë lidhur me, siç pretendon ai, mospërmbarimin e Aktgjykimit në rastet KO256/26 dhe KO258/26, të 29 shtatorit 2026.
Berisha ka sqaruar se parashtresa e tij nuk përbën kërkesë për hapjen e një procedure të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë, por kërkesë që Kushtetuesja të veprojë lidhur me zbatimin e aktgjykimit të saj.
“Kjo nuk është kërkesë për inicimin e ndonjë procedure të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë, por një parashtresë përmes së cilës kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që të përmbushë rolin dhe funksionin e saj si gardian i Kushtetutës në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese mund të veprojë sipas detyrës zyrtare dhe të nxjerrë aktvendim me të cilin konstaton se aktgjykimi i saj nuk është zbatuar.
“Le të mbetet në ndërgjegjen e gjyqtarëve se si do të veprojnë. Si qytetarë të rëndomtë të këtij vendi, ky është i vetmi mjet juridik që mund të shfrytëzojmë për mbrojtjen e rendit kushtetues”, ka deklaruar ai.
Berisha ka adresuar edhe kritika ndaj klasës politike, duke e përshkruar situatën aktuale si gjendje të “papërgjegjshmërisë, kaosit dhe pasigurisë kolektive”.
“Një klasë politike që e ka lodhur popullin aq shumë dhe e ka vënë në një gjendje mbijetese, frike dhe paniku, sot e ka terrenin më të përshtatshëm për të jetësuar diktaturën apo anarkinë”, ka shkruar Berisha.



