
Publicisti Enver Robelli ka kritikuar mënyrën se si u zhvillua procesi i zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke e cilësuar skenën e mbrëmshme në Kuvend si një ndër më “bizaret” në historinë politike të vendit.
Sipas Robellit, nxitimi i deputetëve për ta përfunduar votimin para mesnatës nuk lidhej me shqetësimin për situatën në vend, por me frikën për humbjen e mandateve në rast të zgjedhjeve të reja.
“Deputetët vraponin mbrëmë te kutia me vrull e turr, jo se janë bërë merak qe disa muaj për fatet e Kosovës, jo, e bënin këtë për të shpëtuar mandatet e tyre, të cilat frikësoheshin se mund t’i humbnin nëse vendi përplaset në zgjedhjet parlamentare të radhës”, ka shkruar Robelli.
Ai ka theksuar se presidentja e re nuk mban përgjegjësi për mënyrën se si u zhvillua procesi, duke vënë në shënjestër partitë dhe deputetët.
“Nëse ka një imazh që do të mbesë në historinë e monstruoziteteve politike të Kosovës – ky mbrëmë ishte njëri nga ta”, ka thënë ai.
Robelli ka kritikuar edhe faktin që, sipas tij, publiku nuk ka pasur mundësi të njihet paraprakisht me qëndrimet e Shiroka-Pulës për çështjet kryesore të vendit.
“Opinioni nuk di asgjë për qëndrimet e saj në çështjet më të rëndësishme të vendit. Improvizimi tregon se çfarë respekti kanë deputetët, partitë e kryetarët e partive për postet qendrore të shtetit”, ka shkruar ai.
Në fund, Robelli ka qenë edhe më kritik ndaj klasës politike.
“Vetëm një klasë politike totalisht e papërgjegjshme e zbret parlamentin në pazar”, ka përfunduar Robelli.



