
Analisti i futbollit Liridon Leci dyshohet se e ka kapur për fyti dhe e ka goditur në fytyrë ish-futbollisten Edonisa Aliu, pas përfundimit të emisionit “Dueli Sportiv”, të dielën në mbrëmje. Kështu përshkruhet rasti në një raport të Policisë së Kosovës, të cilin e ka siguruar Paparaci.
Sipas raportit, incidenti ndodhi në objektin e RTV Dukagjinit në Shkabaj dhe po hetohet nga Stacioni Policor në Obiliq. Aliu e ka raportuar rastin në polici.
Raporti thotë se Aliu ishte ofenduar me fjalë fyese nga Leci, “i cili e kishte kapur për fyti dhe e kishte goditur në fytyrë”.
Në raport thuhet se në vendngjarje ishin stafi dhe mysafirët e emisionit, përfshirë moderatorin Ndrecë Gjonaj dhe analistin e futbollit Faruk Statovci. Aliu ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq.
Sipas raportit, përplasja verbale mes tyre ka vazhduar edhe në parkingun e televizionit.
Paparaci ka kërkuar informata zyrtare nga Policia e Kosovës, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje nga Zyra për Informim.
RTV Dukagjini njoftoi të hënën se e kishte ndërprerë bashkëpunimin me Lecin. Drejtori i Informacionit, Dibran Istrefi, tha se shkak ishte përfshirja e analistit në “një incident” pas emisionit të së dielës.
Leci e ka mohuar sulmin. Në një reagim në Facebook, ai u ka kërkuar mediave të përmbahen nga spekulimet për rastin.



