Debatet për Presidentin, Albin Kurti pret në zyrë Justina Shiroka Pula

Diskutohet për bashkëpunimin institucional, prioritetet në arsim e drejtësi dhe zhvillimet në vend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, akademike Justina Shiroka Pula, së bashku me nënkryetarin, akademik Fejzullah Krasniqi, dhe Sekretarin Shkencor, akademik Bardh Rugova.

banner

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Shiroka Pula e uroi Kurtin për mandatin e ri qeverisës dhe e falënderoi për pjesëmarrjen e vazhdueshme në aktivitetet e Akademisë. Ajo e informoi kryeministrin për punën, planet dhe prioritetet e institucionit që drejton, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet shtetërore në funksion të nevojave dhe interesave të vendit, përmes ekspertizës që ofron AShAK-u.

Nga ana e tij, Kurti e uroi Shiroka Pulën për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në punë. Ai theksoi prioritetet e Qeverisë, mes tyre arsimin dhe drejtësinë, si fusha kyçe për një hov të ri zhvillimi, si dhe rolin që bashkëpunimi me Akademinë mund të ketë në këtë drejtim.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet aktuale, progresin dhe sfidat në vend, ndërsa palët u pajtuan të mbajnë komunikim të rregullt për thellimin e bashkëpunimit institucional.

Ndërkohë, vendi ndodhet në prag të procesit për zgjedhjen e presidentit të ri, me më pak se një javë kohë në dispozicion për përmbylljen e këtij procesi kushtetues.

Justina Shiroka Pula më herët ka ushtruar edhe funksionin e ministres në një nga qeveritë e drejtuara nga Hashim Thaçi.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.