
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, lidhur me qëndrimin e saj për ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me Dhomat e Specializuara.
“Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duhet të shqetësohet për drejtësinë e procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, jo për ligjet që i miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit”, ka shkruar Çitaku.
Ajo tha se ndryshimet ligjore nuk synojnë shmangien nga drejtësia, por, sipas saj, garantimin e një gjykimi të drejtë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.
“Askush nuk dëshiron t’i shmanget drejtësisë. Përkundrazi, duam që procesi të kthehet në binarë të drejtë, të garantohet një gjykim i drejtë dhe të respektohen të drejtat themelore të njeriut”, shkroi ajo.
Çitaku deklaroi se Gjykata Speciale do të vazhdojë të ekzistojë dhe të ushtrojë mandatin e saj, ndërsa pretendoi se Kosova nuk po shkel detyrimet e marra ndaj Bashkimit Evropian.
Ajo përmendi edhe raportin e Dick Marty-t, duke thënë se Gjykata Speciale ishte themeluar për të hequr “njollën e zezë” të pretendimeve për trafikim organesh, ndërsa tani, sipas saj, ekziston rreziku që karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së të vihet në pikëpyetje.
Në reagim, Çitaku iu referua edhe vendimit të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, KSC-CC-2022, paragrafit 83, për të mbështetur argumentin se Kuvendi mund të kufizojë juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit.
Ajo tha gjithashtu se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Kosovës i takon të vendosë për ndryshimet ligjore. Sipas Çitakut, kjo ngre pikëpyetje për koherencën e qëndrimeve brenda Komisionit Evropian.
“Ne nuk kërkojmë privilegj dhe as shmangie nga drejtësia. Kërkojmë drejtësi të vërtetë, respektim të të drejtave të njeriut dhe një proces që nuk e cenon të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Kuvendi është i gatshëm për dialog me aleatët.



