
Gani Geci është shoqëruar në Polici për sqarim, por nuk është arrestuar, kanë bërë të ditur burime të Gazetës Nacionale brenda Policisë së Kosovës.
Shoqërimi i tij ndodhi pranë stacionit të B92-së në Prishtinë, pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj. Ky i fundit ka deklaruar se është kërcënuar nga familjarë të Gecit, pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Mehmetaj ka thënë se familjarët e Gecit i kishin kërkuar ta hiqte ose ta ndryshonte postimin, por ai kishte refuzuar. Gazetari ka bërë të ditur se kërcënimet e pretenduara i kishte raportuar në Policinë e Kosovës.
Ndërkaq, Gani Geci kishte njoftuar për një takim mes familjarëve, ku, sipas tij, ishte arritur marrëveshje që palët të mos merreshin më me njëra-tjetrën publikisht.
Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me shoqërimin e Gecit.



