
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të hënën në takim senatorët amerikanë Jeanne Saheen dhe Dick Durbin.
Në takim ajo ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ka thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe në këtë rrugëtim. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo e ka falënderuar senatoren Shaheen për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm ndaj Kosovës, ndërsa ia ka ndarë asaj Medaljen Presidenciale të Meritave.
“Në veçanti, është vlerësuar qëndrimi i saj në mbështetje të vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it. Letra e dërguar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, është cilësuar si iniciativë shumë domethënëse, duke theksuar se kjo prani ka rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për sigurinë e Kosovës dhe parandalimin e tensioneve në rajon. Presidentja ka rikujtuar edhe reagimin e vendosur të senatores Shaheen pas agresionit të 24 shtatorit 2023 të Serbisë në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe thirrjen e saj për përgjegjësi ndaj autorëve. Në shenjë falënderimi, Presidentja Shiroka Pula i ka ndarë senatores Jeanne Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe kontributin në forcimin e sigurisë, ruajtjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.



