“Mbeturina; hajna; qenef”: Eskalon gjuha mes Faton Pecit dhe AAK-së, përplasen me shkronja nga distanca

Një përplasje e ashpër ka ndodhur. Jo fizike, por verbale. Më saktë, përplasje me shkronja nga distanca kilometrike, një aftësi e ofruar nga “mrekullia” e quajtur teknologji, e cila u përdor kësaj radhe për “bela” politike. Shprehjet që përdorën Faton Peci dhe përfaqësuesit e AAK-së janë të skajshme, me terma dehumanizues dhe aspak politikisht korrekte. Si nisi përplasja me germa mes Pecit dhe AAK-së?

Kronikë e një përplasje ende të papërfunduar

Dy ditë më parë, Dardan Krasniqi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, hodhi një pretendim të pakonfirmuar, duke thënë se dy kryetarë komunash mund të arrestohen. Ndërsa të premten, Krasniqi e saktësoi këtë pretendim, duke theksuar se njëri nga dy kryetarët që mund të arrestohet “mund të jetë Faton Peci”, shkruan Gazeta Politika.

Shkruan: Mirlind Behluli

“Prapë unë kam dhënë deklaratë mbrëmë…. Përflitet për dy kryetarë komunash, njëri ish ministër të cilët i kanë aktakuzat. Nëse ndërhyn politika…. Nuk jap emra por opinioni mundet me ditë. Mund të jetë Faton Peci, mirëpo jo për rastet e tij si kryetar. Nëse Prokuroria ka bërë plan dhe ai nuk arrestohet dihet se ka ndërhyrë politika” – tha dje Krasniqi në T7.

Pas kësaj deklarate, reagoi ashpër Peci, duke e cilësuar Krasniqin si “idiot” dhe paralajmëruar padi për shpifje. Në videon e tij, Peci përdori gjuhë të ashpër dhe dehumanizuese, kur tha se e largoi AAK-në nga zyrat në qendër të Prishtinës si “mbeturina”.

“U nisa rrugës për në Boletin, por u ndala me bë këtë video për shkak se idiot sikurse është Dardan Krasniqi nga AAK-ja, por edhe disa hibridë nëpër studio, në media televizive, në vazhdimësi po shpifin me të pavërteta, duke e shqetësu familjen dhe dashamirët e mi gjithandej Kosovës e mërgatës, duke paralajmëruar arrestimin tim nga Prokuroria Speciale. Për informimin e juaj, unë nuk kam një aktakuzë të ngritur” – tha Peci në një video në Facebook, transmeton Gazeta Politika.

Pas videos së kryetarit të Mitrovicës, reagoi Krasniqi, i cili i kërkoi Pecit një përballje në sheshin “Isa Boletini”. Edhe Krasniqi, sikurse Peci, përdori terma pezhorartive, e cilësuar kundërshtarin politik si qenef.

“Qenefë!

Ku e kur duash edhe ne Sheshin Isa Boletini përballemi! Për me i treguar Isës çfarë mbetjesh na udhëheqin sheshët e patriotëve!” – shkroi Krasniqi, ndër të tjera, në shkrimin e tij në Facebook.

Në “vallen” e përplasjes hyri edhe zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, i cili përmes një  “emoji”-je ia çoi gishtin e mesëm Pecit. Xhemaili e quajti Pecin si “bira e mrame e kavallit”.

“Ik tash kryetar i nje partie me 3 anetare, te trete analfabeta.

Ti je perfaqesuesi ma i denje i kesaj kaste te mazhorances, nje shpi budalle. E keqja ma e madhe eshte qe perpos qe jeni budalle, jeni antikombetare e hajna” – shkroi Xhemaili në Facebook.

P.S. Qëndrim i autorit rreth debatit pa tefter

Nuk ka dyshim se kjo përplasje e ashpër është simptomë e një shoqërie thellësisht të polarizuar, e cila sundohet nga një elitë politike që nuk respekton në mënyrë të vendosur kodin etik të fjalës publike dhe përgjegjësinë e debatit demokratik.

Po ashtu, na e rikujton lehtësinë e padurueshme të linçimit verbal dhe dehumanizimit të kundërshtarit politik, e cila duket se lehtësohet nga distanca fizike dhe psikologjike të krijuar nga teknologjia. Epo, nuk ka thënë kot Eric Hobsbawm se “teknologjia i ka bërë viktimat e saj të padukshme”. Normalisht, Hobsbawm po fliste për teknologjinë e luftës dhe viktimat e saj, jo për teknologjinë e rrjeteve sociale dhe “viktimat e gjalla” të saj.

Sidoqoftë, duke e pasur parasysh këtë dallim, është besimi im se fyerjet dhe ofendimet e politikanëve ndaj njëri-tjetrit, që u cituan në këtë tekst, janë kaq të lehta për t’u shkruar pikërisht për shkak të “distancës kilometrike”. Prandaj, “zahmeti” i dikurshëm i përballjes sy më sy nuk ekziston më. Tjetri është i huaji i madh, rrjedhimisht lehtësisht i cenueshëm.

Ndoshta është më mirë kështu, sepse sikur të thuheshin krejt këto gjëra në sy, politikanët mund të përfundonin me sy të mavijosur. Mos të keqkuptohemi, fjalia e fundit është ironi, jo inkurajim apo arsyetim i dhunës.

————————————————————————————————

*Gazeta Politika u kërkon falje lexuesve të saj për gjuhën e cituar në këtë artikull. Njëkohësisht, Gazeta Politika inkurajon politikanët e të gjitha ngjyrave dhe tarafeve që të ruajnë qetësinë, të kujdesen për gjuhën që përdorin në rrjetet sociale dhe të kultivojnë komunikim të përmbajtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.