Koloneli amerikan: Ushtarët tanë janë të motivuar që bashkë me NATO-n ta ruajnë sigurinë e Kosovës

Ushtarët amerikanë në detyrë aktive, nga një njësi që ndihmoi në themelimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë pas gjakderdhjes në Ballkan, janë rikthyer për herë të parë pas shumë vitesh, duke marrë përgjegjësitë nga homologët e tyre të Gardës Kombëtare, shkruan mediumi “Stars and Stripes”.

Kalimi nga udhëheqja tradicionale e Gardës Kombëtare te trupat në detyrë aktive vjen përpara reduktimeve të planifikuara të numrit të ushtarëve, si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

Pjesëtarët e Regjimentit të 2-të të Kalorësisë, me seli në Vilseck të Gjermanisë, si dhe njësitë mbështetëse të Divizionit të Parë të Këmbësorisë, morën të hënën komandën e Komandës Rajonale Lindje të Forcës së Kosovës (KFOR), gjatë një ceremonie në Kampin Bondsteel, thuhet në një deklaratë të Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën.

Hera e fundit kur trupat amerikane në detyrë aktive udhëhoqën Komandën Lindje ishte në shtator të vitit 2014, deklaroi të premten zëdhënësi i komandës, rreshteri Hunter Tate.

Sipas tij, vendimi është marrë për shkak të “disponueshmërisë aktuale të forcave dhe nevojave të misionit”.

Trupat e reja morën përgjegjësitë nga Brigada e 53-të e Këmbësorisë e Gardës Kombëtare të Floridës.

“Ushtarët tanë janë në formë të mirë fizike, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë krah aleatëve dhe partnerëve tanë të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë”, deklaroi koloneli Jabari Miller, komandanti i ri i Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Lindje është njëra nga dy komandat rajonale të NATO-s në Kosovë, e cila dikur ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe më vonë u bë krahinë e Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, megjithëse njohja ndërkombëtare e saj si shtet i pavarur mbetet e pjesshme.

Misioni paqeruajtës në Kosovë filloi në vitin 1999, pasi NATO-ja udhëhoqi një fushatë ajrore 78-ditore për t’i dhënë fund dhunës etnike të ushtruar nga ish-udhëheqësi serb, Slobodan Millosheviq.

Kosova ka një popullsi me shumicë shqiptare, kryesisht të besimit mysliman.

Forcat serbe vranë rreth 10 mijë shqiptarë të Kosovës dhe i varrosën në varreza masive.

Edhe sot e kësaj dite, Serbia vazhdon ta refuzojë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.