
Elisa Spiropali i ka drejtuar një letër publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me protestat në Tiranë. Ajo i ka kërkuar të dëgjojë qytetarët dhe të marrë përgjegjësi politike, duke e cilësuar krizën si tronditje të besimit dhe të legjitimitetit.
Në letër, Spiropali i kërkon Ramës ta përfytyrojë veten mes protestuesve dhe të kuptojë se, sipas saj, zemërimi qytetar nuk ka nisur sot. Ajo e lidh nisjen e pakënaqësisë me vendosjen e kangjellave, të cilat, sipas saj, “shpejt u bënë simbol i një pushteti që ndan, që vendos pengesa mes vetes dhe njerëzve”.
“Dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik. Por as shuarja e zjarrit nuk mund të jetë përgjigjja ndaj krizës”, ka shkruar Spiropali, duke kërkuar që protesta të shihet si mesazh politik dhe jo vetëm si kërcënim për pushtetin.
Ajo ka thënë se qytetarët kanë dalë në rrugë për një sërë shqetësimesh, përfshirë punësimin, lidhjet mes pushtetit dhe ekonomisë, drejtësinë dhe mungesën e përfaqësimit politik.
“Kjo protestë kërkon një përgjigje politike, jo vetëm përgjigje policore. Kërkon një tryezë dialogu të vërtetë kombëtar për reformat themelore, për një sistem zgjedhor konsensual që garanton përfaqësim real, për ndarjen e partisë nga shteti dhe për çlirimin e institucioneve nga instrumentalizimi politik”, ka shkruar ajo.
Spiropali i ka bërë thirrje Ramës që të ndërmarrë hapa për ndryshime politike dhe institucionale, përfshirë hapjen e një procesi të brendshëm reformimi në Partinë Socialiste.
“Një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda, shpejt detyrohet të ndryshojë nga jashtë. Dhe ndryshimi i imponuar nga rruga është gjithmonë më i dhimbshëm se ndryshimi i menduar në kohë”, ka thënë ajo.
Në fund të letrës, Spiropali i është drejtuar Ramës me një thirrje për rikthimin e besimit qytetar.
“Nuk mjafton të fitosh numerikisht zgjedhjet, nëse humbet besimin e njerëzve”, ka shkruar ajo, duke shtuar: “Tani nuk mjafton të fitosh zgjedhje. Tani duhet të rikthesh besimin. Tani duhet të fitojë Shqipëria.”



