
Gazetarja dhe aktivistja Arta Avdiu ka komentuar mungesën e protestave në Kosovë, të ngjashme me ato që po zhvillohen në Shqipëri.
Ajo ka thënë se qytetarët në Kosovë mendojnë se ndryshimin e kanë bërë përmes votës dhe se një pjesë e madhe e tyre e shohin kryeministrin Albin Kurti si përfaqësues të interesave të tyre.
“Pse në Kosovë nuk ka protesta si në Shqipëri? Sepse kosovarët mendojnë se ndryshimin e kanë bërë me vota. Në sytë e pjesës më të madhe të qytetarëve, Albin Kurti nuk përfaqëson interesat e bizneseve dhe elitave politike e ekonomike që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë, në një sistem të karakterizuar nga korrupsioni endemik. Përkundrazi, ata e shohin Kurtin si përfaqësues të interesave të tyre, si qytetarë që kanë pësuar nga keqpërdorimet e pushtetit në të kaluarën”, ka shkruar Avdiu.
Sipas saj, pakënaqësia me elitat e pasluftës në Kosovë është shprehur përmes votës.
“Pra, pakënaqësia me elitat e pasluftës në Kosovë është shprehur përmes votës. Tjetër çështje është çka ka arritur Kurti me ndryshuar realisht deri tash”, ka përfunduar ajo.



