Skandal në kompaninë “Apetit”, AUV-i ndalon shitjen e mishin të ngrirë të pulës nga Brazili – shkak një bakterie

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka lëshuar një komunikatë publike, ku ka treguar për ndalimin dhe urdhërin për tërheqje nga tregu të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili prej anës së kompanisë “Apetit”.

Në njoftim tregohet se në dy lloje të mishit janë gjetur bakterie të Salmonella Minnesota, shkruan Gazeta Politika.

Sjellim ndër mend që kjo nuk është hera e parë që “Apetit”-i përballet me probleme të tilla, pasi javë më parë autoritetet e Malit të Zi ndaluan dhjetëra kilogramë mish të vicit me afat të skaduar.

Për të lexuar këtë raportim, klikoni këtu.

Postimi i plotë i AUV-it:

Prishtinë, 30 tetor 2026 –

AUV ndalon shitjen dhe urdhëron tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga Apetit SHPK, pas konstatimit të bakterit Salmonella Minnesota

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, ka konstatuar praninë e bakterit Salmonella Minnesota në mostra të mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga operatori Apetit SHPK. Bazuar në rezultatet laboratorike dhe në zbatim të neneve 7, 10 dhe 15 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit, vendosjen nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të identifikuara.

Produktet e përfshira në vendim:

Marka Origjina Nr. i aprovimit LOT

Coopavel Brazil SIF 3887 R-14427

Superfrango Brazil SIF 3404 R20598

Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut. Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, konstatimi i këtij patogjeni kërkon vlerësimin e rrezikut dhe ndërmarrjen e masave proporcionale për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AUV u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë produktet me numrat e identifikuar të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes. Kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë me verifikimin e të gjithë sasisë së importuar, përfshirë gjurmueshmërinë nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe të mbetura, etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike.

Në përputhje me nenet 21, 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim, operatori është përgjegjës për sigurinë, gjurmueshmërinë, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve në bazë të vlerësimit të rrezikut, përfshirë asgjësimin kur është i nevojshëm.

AUV do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.