
Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka qëndruar për vizitë në Luginën e Preshevës, ku është takuar me dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Visar Memeti.
Gjatë takimit, Koçeku i ka uruar dy deputetët për fitoren e Koalicionit Shqiptar në zgjedhje, ndërsa ka diskutuar me ta për gjendjen e shqiptarëve në Luginë, sfidat me të cilat përballen dhe problemet që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e tyre të përditshme.
Postimi i plotë:
Në Luginë, mes bashkatdhetarëve tanë, takova dy deputetët shqiptarë të sapozgjedhun, z. Shaip Kamberi dhe z. Visar Memeti. I urova për fitoren e përbashkët të Koalicionit Shqiptar dhe për rezultatin dinjitoz të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
Ndigjova nga afër për vështirësitë e vazhdueshme që hasin shqiptarët në ushtrimin e të drejtave të tyne. Duhet përgjegjësi e përbashkët, vëmendje dhe angazhim ma i madh institucional nga Shqipnia, krahas mbështetjes që prej vitesh po jep edhe qeveria e Kosovës.
Kjo ishte vizita ime e parë në Luginë, por s’ka me qenë e fundit. Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës e kanë mbështetjen time të plotë në përpjekjet për të drejtat dhe përfaqësimin e tyne dinjitoz.



