“Avni Rrustemi 2.0”: Aleanca e denoncon profilin që kërcënoi me vrasje Ramush e Daut Haradinajn në Facebook

Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i Aleancës për Kosovën, ka denoncuar publikisht një profil në Facebook, i cili kërcënoi me vrasje Ramush dhe Daut Haradinajn.

Në një status, Xhemaili ka treguar që të gjitha të dhënat e këtij profili tashmë i janë dorëzuar Policisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Ditët e fundit jemi dëshmitarë të një fushate të egër, të orkestruar dhe jashtëzakonisht të rrezikshme përmes rrjeteve sociale. Dhjetëra profile të rreme po shpërndajnë në mënyrë sistematike shpifje dhe informacione tërësisht të pavërteta, të cilat Aleanca i ka demantuar zyrtarisht që në fillim.

Megjithatë, kjo makineri e propagandës së zezë tashmë ka eskaluar në nivelin e kërcënimit të hapur me jetë. Konkretisht, dy ditët e fundit, një profil i hapur me emrin fiktiv “Besmir Kelmendi”, i cili përdor fotografinë e Avni Rrustemit dhe e quan veten “Avni Rrustemi 2.0”, ka filluar një fushatë të hapur propaganduese duke bërë thirrje publike për vrasjen e z. Ramush Haradinaj dhe z. Daut Haradinaj.

Ky profil po tenton të ndërlidhë qëllimisht emrin e familjes Haradinaj me rastin tragjik në Pejë, duke përdorur citate dhe pretendime të rreme të personave të përfshirë në atë ngjarje, me qëllim nxitjen e vetëgjyqësisë dhe akteve vëllavrasëse. Këto nuk janë më thjesht shpifje politike, por janë thirrje të pastra kriminale që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë e jetës dhe rendin ligjor në vend.

Aleanca ka dorëzuar të gjitha të dhënat dhe provat e këtij profili dhe llogarive të tjera ndërlidhëse, pranë Policisë së Kosovës dhe organeve të ligjit. Ne do të ndjekim rrugën ligjore deri në fund për secilin individ që fshihet pas këtyre profileve dhe që prodhon apo shpërndan mesazhe të tilla terrorizuese.

Është po aq e turpshme dhe e papërgjegjshme që kjo fushatë linçimi dhe kërcënimi online po gjen mbështetje edhe përmes deklaratave skandaloze të deputetëve të partisë në pushtet. Ky koordinim i ulët ka vetëm një qëllim: të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik nga dështimi real i hallkës së shtetit për parandalimin e këtij rasti tragjik.

Tragjeditë njerëzore nuk mund dhe nuk do të lejohen të keqpërdoren për luftë politike e as për nxitje të dhunës. Autorët e këtyre kërcënimeve dhe nxitësit e tyre politikë shumë shpejt do të përballen me forcën e ligjit dhe të drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.