SHSKUK-ja suspendon drejtorin e Spitalit të Mitrovicës, dyshohet për dhunë në familje

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se do ta procedojë suspendimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, pasi organet e rendit dhe drejtësisë konfirmuan ndalimin e tij.

Sipas SHSKUK-së, suspendimi do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucioni i ka cilësuar jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke theksuar se ka tolerancë zero ndaj dhunës dhe se askush nuk është mbi ligjin.

SHSKUK-ja ka siguruar se do të ndërmerren masat e nevojshme për vazhdimin e udhëheqjes dhe funksionimin normal të Spitalit të Mitrovicës, pa u penguar ofrimi i shërbimeve për pacientët.

Berisha është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhuna në familje”. Ai dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhte e njëjta gjë sikurse Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ndalimin e tij e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’”, ka deklaruar zëdhënësja Kaltrina Shala.

Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.