
Inspektorati Qendror i Punës ka nisur inspektimin në Klan Kosova pas dorëheqjes së shtatë gazetarëve nga portali i këtij mediumi.
IQP-ja ka njoftuar se po inspekton Klan Kosovën pas “pretendimeve për shkelje të të drejtave të punonjësve”.
“Inspektorati Qendror i Punës nis inspektimin në Klan Kosova pas pretendimeve për shkelje të të drejtave të punonjësve
Inspektorati Qendror i Punës ka nisur inspektimin në Klan Kosova, pas raportimeve publike lidhur me pretendimet e shtatë ish-punonjësve, të cilët kanë dhënë dorëheqje duke ngritur shqetësime për shkelje të të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës.
Inspektimi është iniciuar në bazë të ankesave të pranuara me shkrim dhe raportimeve publike për shkeljet e pretenduara nga punëdhënësi.
Inspektorati Qendror i Punës do të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe, varësisht nga gjetjet e inspektimit, do të ndërmarrë masat përkatëse ligjore” – thuhet në reagimin e Inspektoratit Qendror të Punës.
Sjellim ndër mend që ditë më parë shatë gazetarë u dorëhoqën nga Klan Kosova, duke pretenduar për “punë shtesë të papaguar”.
“Sot, të shtatë gazetarët e stafit të portalit Klan Kosova u detyruam bashkërisht të japim dorëheqje, si pasojë e mospërfilljes së kërkesës sonë për kompensim shtesë për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm në mbulimin dhe raportimin e formatit Big Brother VIP Kosova” – thuhej në reagimin e përbashkët të shtatë gazetarëve.
Klan Kosova, përmes një reagimi, i mohoi pretendimet e shtatë gazetarëve, duke i cilësuar dorëheqjet e tyre si një “formë e shantazhit”.
“Marrë parasysh këto fakte, ne nuk kemi pranuar që disa të punësuar në redaksinë e portalit, në formë shantazhi (në javën kur fillon transmetimin Big Brother), të kërkojnë të paguhen shtesë gjatë orarit të rregullt të punës. Mënyra dhe koha e paraqitjes së kërkesave, si dhe përpjekja për ta shndërruar mosmarrëveshjen në presion publik, ngrenë shqetësime serioze mbi instrumentalizimin e kësaj situate për të imponuar kushte financiare shtesë, jashtë asaj që rrjedh nga detyrimet kontraktuale” – shkroi Klan Kosova në reagimin e tyre.
Për të lexuar rreth arsyeve të dorëheqjeve të shtatë gazetarëve dhe reagimin e Klan Kosovës klikoni këtu, këtu dhe këtu.



