Surroi: Deklarata për UÇK-në ngjan me përcaktimet e Jugosllavisë socialiste, Ligji për Specialen me teorinë se Toka është e sheshtë

Publicisti Veton Surroi ka kritikuar ashpër Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe deklaratën e Kuvendit të Kosovës për “mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare”.

Në kolumnën e publikuar sot në “Koha Ditore”, Surroi ka vlerësuar se në një shoqëri demokratike institucionet nuk duhet të përcaktojnë një “të vërtetë zyrtare”, pasi interpretimet historike u nënshtrohen vazhdimisht fakteve dhe interpretimeve të reja.

“Prokuroria e policia nuk kanë si të mbrojnë ‘të vërtetën e luftës çlirimtare’ e as cilëndo të vërtetë tjetër — ato janë aty për të mbrojtur rendin juridik”, ka shkruar Surroi.

Ai ka kritikuar pikën e tretë të Deklaratës së Kuvendit, përmes së cilës kërkohet nga institucionet shtetërore të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës çlirimtare.

Sipas Surroit, kjo pikë u ngjan përcaktimeve partiake të Jugosllavisë socialiste, kur institucioneve u kërkohej ta mbronin “të vërtetën e revolucionit socialist” dhe “vlerat e luftës nacionalçlirimtare”.

Ai ka vlerësuar se ligjërimi politik në Kosovë ka hyrë në një hapësirë që çon drejt teologjisë, ku lufta shpallet e shenjtë, krijohet një interpretim i autorizuar i historisë dhe çdo kundërshtim trajtohet si herezi.

Surroi i ka interpretuar në këtë frymë edhe protestat e mbajtura pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesën që Kuvendi ta miratonte Ligjin për Specialen.

“Mijëra njerëz brohorisnin kërkesën për Ligjin, për kryqin prej të cilit do të ikte Satanai”, ka shkruar ai.

Sipas tij, ligji nuk kishte të bënte me mbrojtjen e UÇK-së apo të luftës çlirimtare, por ishte një përpjekje për t’i ndryshuar rregullat pas përfundimit të fazës së parë të procesit gjyqësor.

“Ishte një operacion i pamençur për të ndërruar rregullat e lojës pas gjysmës së parë të saj, me shpresë se rezultati do të jetë tjetër në gjysmën e dytë”, ka vlerësuar Surroi.

Ai ka paralajmëruar se ligji, pa u sjellë ndonjë dobi të dënuarve në Hagë, ia ka cenuar Kosovës besueshmërinë si partnere e Bashkimit Evropian dhe ka ngritur pikëpyetje mbi respektimin e rendit kushtetues.

Në fund, Surroi i ka krahasuar hartuesit e ligjit me përkrahësit e teorisë se Toka është e rrafshët.

“Ligji për Specialen ka po aq forcë ta ndryshojë vetvetiu aktgjykimin ndaj katër të dënuarve në Hagë dhe faktet mbi të cilat ai u ndërtua, sa do të kishte një Ligj për Tokën e Sheshtë për ta ndryshuar formën e Tokës”, ka shkruar Surroi.

“Kështu, më 2026 Kosova tashmë ka një Ligj për Tokë të Sheshtë dhe gatishmërinë për ta mbrojtur këtë e ortodoksi të tjera”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.