
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn.
Kurti ka bërë të ditur se e ka falënderuar gjeneralin amerikan për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në transformimin, modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Partneritet i dyfishtë i Republikës sonë, me Ajovën si një dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si tërësi”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se mbështetja e Gardës Kombëtare të Ajovës për FSK-në është përqendruar në trajnimin profesional, edukimin dhe lidershipin ushtarak, si dhe në planifikimin operacional e logjistik.
Në takim është diskutuar edhe për hapat e parë të Kosovës në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon.
“U pajtuam për rolin kyç të Republikës së Kosovës në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurti.



