
Gazetarja gjermane Renate Flottau kishte rrëfyer rrethanat dramatike në të cilat presidenti Ibrahim Rugova dhe familja e tij u mbajtën të izoluar nga policia serbe gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999.
Në ditarin e saj, të botuar në revistën gjermane “Der Spiegel”, Flottau tregon se kishte qëndruar në Kosovë pavarësisht kërkesave për t’u larguar dhe kërcënimeve me vdekje. Kontakti me Rugovën, të cilit ia kishte marrë intervistën e fundit të pacensuruar, e kishte vendosur edhe atë në një situatë të rrezikshme.
Flottau kishte shkuar në shtëpinë e Rugovës pasi në Prishtinë qarkullonin lajme se ai ishte plagosur ose vrarë. Derisa po largohej, dhëndri i Rugovës i kishte bërë me shenjë që të heshtte. Nga kati i sipërm, ata kishin parë automjete policore dhe të blinduara duke iu afruar shtëpisë.
“Dhjetëra pjesëtarë të policisë speciale serbe dalin nga automjetet. Ata shtyjnë portën e hekurt, dikur e heqin brutalisht nga vendi. Tre të uniformuar vërsulen në shtëpi dhe të gjithë neve na shtyjnë në bodrum”, shkruate Flottau, përcjell Gazeta Politika.
Sipas saj, në shtëpi ndodheshin gjithsej 17 persona: Rugova, bashkëshortja e tij Fana, tre fëmijët, dy motrat me familjet e tyre, truproja dhe shefi i Protokollit, Adnan Merovci. Mes tyre ishin shtatë fëmijë, njëri vetëm tetë muajsh.
Gazetarja përshkruan se dy policë, të pajisur me helmeta dhe jelekë antiplumb, ua drejtuan armët personave të grumbulluar në bodrum. Policia e kishte shkatërruar me goditje pushke edhe kamerën e mbikëqyrjes mbi hyrjen e shtëpisë.
Më pas, forcat serbe ishin vendosur në katet e poshtme, ndërsa Rugova, familja dhe personat e tjerë ishin detyruar të qëndronin së bashku në një dhomë.
“Ne qëndrojmë në katin e parë, gjoja ‘nën mbrojtjen policore’, të gjithë në një dhomë të vetme”, shkruan Flottau, përcjell Gazeta Politika.
Për shkak të rrezikut, ajo nuk e kishte zbuluar identitetin e saj si gazetare gjermane. Rugova e kishte prezantuar si të afërme të familjes, ndërsa Adnan Merovci ishte caktuar si ndërmjetës mes familjes dhe policëve.
Rugova u detyrua të fliste para kamerave serbe
Sipas ditarit, policia serbe kontrollonte lagjen, shkatërronte dyer e dritare dhe ua hiqte shtëpive antenat satelitore, kabllot e televizorit dhe lidhjet telefonike.
Në shtëpinë e Rugovës kishin mbërritur edhe gazetarë të afërt me pushtetin serb. Flottau shkruan se Rugova ishte detyruar të dilte para kamerave dhe të deklaronte se ishte mirë dhe se ishte njeri i lirë.
“Rugova detyrohet të dalë para kamerave dhe të gënjejë botën se është shëndosh e mirë dhe person i lirë. Çdo deklaratë tjetër assesi nuk do të emetohej nga radiotelevizioni shtetëror. Dhe do të rrezikonte jetën e të gjithë neve këtu”, shkruan ajo.
“U detyrua të pranonte, nuk kishte zgjidhje tjetër”
Në mbrëmjen e 31 marsit 1999, Rugova ishte thirrur jashtë. Atij i ishte komunikuar se mëngjesin tjetër duhej të udhëtonte në Beograd për t’u takuar me presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq.
“I propozojnë që mëngjesin tjetër të udhëtojë në Beograd. Presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç do të bisedojë me të për t’u këshilluar mbi një ‘zgjidhje të krizës’. Rugova detyrohet të pranojë me gjysmë zemre dhe me vetëdije se nuk ka zgjidhje tjetër”, thuhet në ditar.
Flottau tregon se atë natë familja kishte fjetur e ngjeshur në dysheme, ndërsa Rugova kishte dremitur në divan me një peshqir mbi kokë.
Të nesërmen, ai ishte zgjuar shumë vonë për t’u nisur drejt Beogradit. Gazetarja e përshkruan Rugovën si të zemëruar dhe të shqetësuar se si do ta priste opinioni shqiptar takimin e tij me Millosheviqin.
“Rugova është i zemëruar. E kanë zgjuar tepër vonë për t’u nisur për Beograd… Rugova është i shqetësuar se si do ta presë opinioni shqiptar takimin e tij me Millosheviçin”, shkruan ajo.
U kthye i trazuar dhe i përdorur për propagandë
Sipas Flottau-t, Rugova ishte kthyer nga Beogradi rreth orës 18:30 dhe dukej i trazuar. Millosheviqi nuk i kishte paraqitur ndonjë propozim konkret për zgjidhje paqësore, ndërsa pamjet e takimit ishin përdorur nga propaganda serbe.
“Me sa duket, Millosheviçi e ka keqpërdorur për qëllime propagandistike”, shkruan gazetarja.
Flottau tregon se opinionit ndërkombëtar i ishin paraqitur pamje të Rugovës duke buzëqeshur gjatë takimit. Por, sipas saj, Rugova kishte rrëfyer se Millosheviqi kishte sharë presidentin amerikan Bill Clinton, ndërmjetësuesit amerikanë Richard Holbrooke dhe Christopher Hill, si dhe kancelarin gjerman Gerhard Schröder.
Rugovës i ishte premtuar se familja e tij nuk do të prekej, por ai e konsideronte të pavlerë komunikatën politike që i ishte kërkuar ta nënshkruante.
Flottau e përshkruan atë jo vetëm si të zemëruar, por edhe thellësisht të dëshpëruar. Sipas saj, Rugova nuk mund ta kuptonte se si OSBE-ja ishte larguar nga Kosova, duke e lënë popullsinë shqiptare të pambrojtur përballë forcave serbe./Gazeta Politika



