Burnham i shkruan Kurtit: Britania mbetet përkrahëse e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga kryeministri britanik, Andy Burnham, në përgjigje të letrës së urimit që Kurti ia kishte dërguar pas marrjes së detyrës. Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit më 27 gusht.

Në letër, Burnham ka riafirmuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe shumëetnik, si dhe ka vlerësuar partneritetin mes dy vendeve.

Ai ka përmendur mbështetjen britanike për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe për integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe përparimin drejt NATO-s.

“Jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne mbetemi mbështetës të palëkundur të zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik, si dhe e vlerësojmë lart bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë”, ka shkruar Burnham.

Burnham ka shprehur shpresën për formimin e shpejtë të qeverisë së re, në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi në mbrojtje e siguri, tregti e investime, migracion dhe ekonomi.

Në letër, ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë, si dhe luftimin e krimit të rëndë të organizuar.

“Pres me kënaqësi të punoj me ju për të trajtuar disa nga sfidat më të mëdha të Evropës, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe partneritetin me përfitime të ndërsjella në fushat me interes të përbashkët, nga forcimi i ekonomive tona deri te luftimi i krimit të rëndë të organizuar”, ka përfunduar Burnham

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.