Greva e punëtorëve të Infrakosit ndal qarkullimin e trenave në Kosovë

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë sot nga ora 08:00, si pasojë e grevës së punëtorëve të Ndërmarrjes Publike “Infrakos”, të cilët kërkojnë indeksimin e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Kryetari i Sindikatës së Infrakos-it, Hysen Nikqi, ka bërë të ditur se greva përfshin gjithë territorin e Kosovës, ndërsa është pezulluar edhe qarkullimi i trenave në relacionin Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas.

Ai ka theksuar se kjo është faza e parë e grevës, e cila është organizuar pas mungesës së reagimit nga bordi dhe menaxhmenti ndaj kërkesave të punëtorëve.

“Këshilli Grevist sot e ka paralajmëruar një grevë të cilën kemi fillu sot në orën 08:00 edhe do të përfshijë gjithë territorin e Kosovës. Si pasojë e grevës do të ndalet edhe qarkullimi i trenit në relacionin Prishtinë-Pejë dhe anasjelltas. Kjo është faza e parë e grevës, nuk kemi dëshiruar me bë me organizu, por kemi qenë të detyruar, sepse para dy javëve kemi mbajtur një protestë paralajmëruese për sensibilizimin e opinionit, bordit, menaxhmentit, qeverisë për kërkesat tona të drejta edhe ligjore. Të cilat deri më sot nuk e ka dhënë asnjë efekt, nuk e kanë dhënë asnjë shenjë që ata janë të gatshëm me lëviz diçka. Edhe kështu që sot kemi filluar grevën, edhe greva është në krejt territorin e Kosovës”, theksoi Nikqi.

Kreu i sindikatës ka paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve hekurudhore do të vazhdojë derisa bordi të marrë një vendim me shkrim për kërkesat e punëtorëve.

Sipas tij, çështja kryesore mbetet ajo e pagave, ndërsa punëtorët kërkojnë edhe rritjen e pagesës për shujtë dhe kompensimin retroaktiv për 3 muajt e fundit.

“Asnjë shërbim, asnjë qarkullim, as sot, as nesër, por këtë e ndryshon vetëm vendimi i bordit. Nëse ata marrin një vendim edhe ne e kemi një vendim të shkruar, jo vetëm fjalë, atëherë po Këshilli organizohet, e përfundon për këtë grevën…Kërkesë kryesore janë pagat. E para edhe vetmja janë pagat, por kemi edhe kërkesa të tjera si rritjen e shujtës, pagesën në mënyrë retroaktive për tre muajt e fundit, sepse këto i kemi diskutuar me bordin për takimin që kemi… Po, për shkallëzimi i pagave”, ka thënë Nikqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.