Avokati serb: Dosjet e BIA-s mund ta tronditin Serbinë, nga vrasja e Ivanoviqit te lidhjet e shërbimit me pushtetin

Avokati serb dhe ish-bashkëministri i Punëve të Brendshme në qeverinë kalimtare pas 5 tetorit 2000, Bozho Preleviq, ka paralajmëruar se hapja e dosjeve të shërbimeve të sigurisë në Serbi mund të shkaktojë tronditje të mëdha politike, duke ngritur një sërë pyetjesh për funksionimin e BIA-s, lidhjet e saj me pushtetin dhe mbikëqyrjen e kundërshtarëve politikë.

Në një intervistë për revistën “Radar”, Preleviq ka thënë se një nga çështjet që duhet të marrë përgjigje është nëse Oliver Ivanoviq ishte nën masa të mbikëqyrjes në kohën kur u vra dhe, nëse po, kush kishte urdhëruar vendosjen e tij nën këto masa.

Ai ka përmendur edhe mundësinë e publikimit të emrave të personave që kanë përfituar para nga Telekomi i Serbisë, nën drejtimin e Vladimir Luçiqit, si dhe ka ngritur pyetjen nëse BIA apo shërbime të tjera të sigurisë kanë qenë të përfshira në blerjen e programit për përgjim “Pegasus”.

“Imagjinoni çfarë tronditjeje do të ndodhte nëse do të hapeshin dosjet. Ose nëse do të mësohej se kush i ka marrë paratë nga Telekomi i Luçiqit. Apo nëse Marko Parezanoviq do t’i përgjigjej pyetjes nëse Oliver Ivanoviq ishte nën masa kur u vra dhe, nëse po, kush e kishte vendosur nën këto masa”, ka deklaruar Preleviq.

Sipas tij, pas një ndryshimi të mundshëm të pushtetit në Serbi, një nga çështjet kryesore nuk do të jetë vetëm se kush e ka fituar garën politike, por edhe kush ka humbur pushtetin dhe për çfarë arsyeje.

Preleviq ka paralajmëruar se një pjesë e strukturave që kanë qenë të lidhura me pushtetin mund të përpiqen të përshtaten me rrethanat e reja politike, duke u paraqitur si kundërshtarë të mëparshëm të regjimit ose si përkrahës të ndryshimeve.

Ai ka rikujtuar përvojën e vitit 2000, duke thënë se pas rënies së Sllobodan Millosheviqit shumë njerëz që kishin humbur ndikimin politik arritën të riktheheshin në struktura të reja të pushtetit.

“Një nga problemet e 5 tetorit ishte pikërisht fakti se nuk e dinim listën e humbësve, shumë prej të cilëve u shfaqën përsëri si fitues”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se një përsëritje e këtij skenari do ta zhbënte kuptimin e protestave dhe përpjekjeve për ndryshim.

Preleviq: Shërbimet e sigurisë kanë 25 vjet pa mbikëqyrje të duhur

Duke folur për arsyet pse reforma e shërbimeve të sigurisë nuk u realizua pas rënies së Millosheviqit, Preleviq ka thënë se problemi i përgjimeve dhe mungesës së kontrollit institucional daton që nga viti 2001.

Ai ka kujtuar se në atë periudhë ishte propozuar një ligj që parashihte kontroll më efikas të brendshëm dhe të jashtëm mbi punën e shërbimeve të sigurisë, por sipas tij, ky ligj nuk kishte gjetur përkrahje as te Partia Demokratike (DS), as te Partia Demokratike e Serbisë (DSS), e më vonë as te Partia Socialiste e Serbisë (SPS) dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas Preleviqit, mungesa e vullnetit politik për të vendosur mekanizma të mirëfilltë kontrolli ka bërë që shërbimet të funksionojnë për dekada pa mbikëqyrjen e nevojshme parlamentare, gjyqësore dhe të brendshme.

Ai ka vlerësuar se shërbimet e sigurisë në Serbi, në vend që të merren me mbrojtjen e qytetarëve dhe të shtetit, janë përqendruar në identifikimin e të ashtuquajturve “armiq të brendshëm”, përfshirë studentë, profesorë, gazetarë, politikanë, aktivistë dhe prokurorë.

“Ne kemi një shërbim të sigurisë që, në vend se t’i mbrojë qytetarët dhe shtetin, ndjek armikun e brendshëm mes studentëve, profesorëve, gazetarëve, politikanëve dhe aktivistëve, madje edhe prokurorëve”, ka thënë Preleviq.

Ai ka theksuar se kjo situatë është pasojë e mungesës së kontrollit adekuat mbi shërbimet për 25 vjet.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe ish-kryetaret e Gjykatës Supreme, Leposava Karamarkoviq dhe Vida Petroviq-Shkero, të cilat, sipas tij, kishin përjetuar sulme për shkak se nuk lejonin përgjime të paautorizuara.

Preleviq ka thënë se problemi nuk mund t’i atribuohet vetëm Aleksandar Vuçiqit, por edhe mijëra personave që, sipas tij, kanë shkelur rregullat profesionale dhe kanë mundësuar funksionimin e këtij sistemi.

Përmend rastet e Radoiçiqit dhe Veselinoviqit

Një prej deklaratave më të drejtpërdrejta të Preleviqit lidhet me Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, dy emra të njohur në skenën politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës.

Ai ka pretenduar se gjatë kohës kur ishte në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë ishin nisur procedura penale ndaj të dyve, pasi, sipas tij, te njëri ishin gjetur 2.2 kilogramë drogë, ndërsa te tjetri 2.4 kilogramë.

Preleviq ka thënë se prokurori i kishte ndërprerë procedurat, ndonëse, sipas tij, të dy kishin pranuar veprën, dhe se kjo kishte ndodhur pas ardhjes së Vuçiqit në pushtet.

“Gjatë kohës sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ishte nisur procedurë penale kundër Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, sepse te njëri ishin gjetur 2.2, ndërsa te tjetri 2.4 kilogramë drogë. Prokurori i ndërpreu procedurat, edhe pse ata e kishin pranuar veprën, dhe kjo ndodhi pas ardhjes së Vuçiqit në pushtet”, ka deklaruar ai.

Preleviq ka kërkuar që prokurori i përfshirë në këto raste të pyetet se kush e kishte bindur të hiqte dorë nga ndjekja penale.

Këto janë pretendime të Preleviqit të paraqitura në intervistën për “Radar”, ndërsa në intervistë nuk janë ofruar dokumente apo përgjigje nga personat e përmendur lidhur me këto deklarata.

Reforma e BIA-s nuk nënkupton vetëm ndryshimin e emrit

Duke folur për mundësinë e reformimit të shërbimeve të sigurisë, Preleviq ka thënë se zgjidhja nuk qëndron vetëm te shpërbërja e institucioneve ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja.

Sipas tij, ndryshimi i emrit të BIA-s në një agjenci tjetër nuk do të kishte rëndësi nëse në strukturat e reja do të mbeteshin të njëjtët njerëz dhe të njëjtat praktika.

Ai ka përmendur se pas 5 tetorit 2000, shërbimi i atëhershëm i Sigurimit Shtetëror (DB) u riemërua në BIA dhe në krye të tij u vendosën kuadro të reja, por me kalimin e viteve, sipas tij, sistemi u kthye në praktikat e mëparshme.

Preleviq ka vlerësuar se një reformë e mirëfilltë duhet të përcaktojë qartë se çfarë shërbimesh i nevojiten shtetit dhe cilat veprime nuk duhet të tolerohen.

Ai ka propozuar ndarjen e shërbimeve në tri struktura: shërbim informativ, kundërzbulim dhe shërbim teknik. Ky i fundit, sipas tij, do të mund të shërbente për ushtrinë, BIA-n dhe Prokurorinë për Krim të Organizuar, por vetëm mbi bazën e kërkesave dhe procedurave të qarta.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se pas ndryshimit të pushtetit mund të shfaqen persona brenda shërbimeve që do të përpiqen të krijojnë lidhje me autoritetet e reja, duke diskredituar ata që synojnë reforma dhe duke mbështetur ata që dëshirojnë ruajtjen e status quo-së.

Në këtë kontekst, Preleviq ka rikujtuar vrasjen e kolonelit të ish-shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Momir Gavriloviq, në vitin 2001, pas një takimi me Vojislav Koshtunicën. Sipas tij, Gavriloviq kishte dashur të publikonte informacione për bashkëpunëtorët e tij dhe ishte vrarë në pritë.

Paralajmëron se rrjetet e vjetra mund të mbijetojnë edhe pas ndryshimit të pushtetit

Preleviq ka vlerësuar se në Serbi vazhdon të ekzistojë një grupim i përbërë nga struktura financiare, të sigurisë, politike dhe mediatike, i cili, sipas tij, ka humbur vetëm krahun politik, por vazhdon të ketë para, ndikim mbi narrativat mediatike dhe njerëz brenda shërbimeve.

Ai ka thënë se këto struktura posedojnë edhe dokumentacion, fotografi dhe incizime të siguruara përmes personave të tyre në institucione.

Sipas tij, ky është një prej rreziqeve kryesore për çdo qeveri të ardhshme që do të synojë reformimin e institucioneve.

Duke u ndalur te përvoja e vitit 2000, Preleviq ka thënë se ndarja mes Zoran Gjingjiqit dhe Vojislav Koshtunicës, si dhe mungesa e lustracionit dhe ndjekjes penale të personave që kishin shkelur ligjin, kishin krijuar mundësi që strukturat e vjetra të mbijetonin.

Ai ka rikujtuar se njësia POSKOK, të cilën e kishte formuar gjatë qëndrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kishte nisur rreth 100 hetime brenda dy muajsh, por ishte shpërbërë pas vendimit të parë të qeverisë së Gjingjiqit.

Sipas tij, atëherë ishin arrestuar Borka Vuçiq dhe Borislav Milaciq, ishte lëshuar urdhërarrest për Zharko Zeçeviqin, ndërsa Boriša Vukoviq kishte ikur në Irak.

Preleviq ka thënë se mungesa e lustracionit kishte qenë pasojë e interesave politike dhe ekonomike të aktorëve të ndryshëm, të cilët nuk dëshironin të përballeshin me përgjegjësinë për veprimet e tyre.

Ai ka tërhequr paralele mes asaj periudhe dhe situatës aktuale, duke paralajmëruar se edhe një qeveri e re mund të përballet me përpjekje për destabilizim nga brenda institucioneve.

“Nuk dua ta frikësoj kryeministrin e ardhshëm, por ai duhet ta dijë se paraardhësi i tij, i zgjedhur në mënyrë demokratike, u vra sepse nuk kishte pasur gatishmëri të mjaftueshme për reformimin e shërbimeve”, ka thënë Preleviq, duke iu referuar vrasjes së Zoran Gjingjiqit.

Ai ka shtuar se kryeministri dhe ministri i ardhshëm i Punëve të Brendshme do të kenë probleme serioze nëse nuk mund të mbështeten te njerëzit brenda shërbimeve të sigurisë.

Kritikon ndikimin e shërbimeve në prokurori dhe polici

Një pjesë të rëndësishme të intervistës, Preleviq ia ka kushtuar edhe funksionimit të prokurorisë dhe marrëdhënies së saj me shërbimet e sigurisë.

Ai e ka cilësuar gjendjen në prokurori si një nga problemet më të mëdha në Serbi, duke thënë se shumë prokurorë kërkojnë që urdhrat për ndërmarrjen e veprimeve të jepen me shkrim, në mënyrë që të mbrohen nga përgjegjësia.

Preleviq ka përmendur rastin e prokurorit të lartë publik Nenad Stefanoviq, i cili, sipas tij, kishte kërkuar nisjen e procedurës ndaj Aleksandar Radiqit dhe vetë Preleviqit, pasi ata kishin folur të parët për përdorimin e një topi zanor.

Ai ka thënë se prokurori të cilit i ishte drejtuar kërkesa kishte refuzuar të vepronte pa një urdhër me shkrim, ndërsa procedura më pas ishte nisur nga zëvendësi i Stefanoviqit.

Sipas Preleviqit, lidhja mes shërbimeve të sigurisë dhe sistemit të drejtësisë është thelbësore, pasi përmes saj strukturat që kanë qenë të lidhura me pushtetin mund të vazhdojnë të ushtrojnë ndikim edhe në të ardhmen.

Ai ka kritikuar gjithashtu idenë e krijimit të policisë së prokurorisë, duke vënë në pikëpyetje se kush do ta kontrollonte një strukturë të tillë nëse ajo do të varej nga një prokuror të cilin e akuzon për ndikim partiak.

Përmend Vuçiqin, Kokezën dhe Hrkaloviqin

Preleviq ka folur edhe për rolin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, të cilat, sipas tij, kanë qenë nën drejtimin e Aleksandar Vuçiqit dhe Nebojsha Stefanoviqit.

Ai ka vlerësuar se përqendrimi i këtij ndikimi në duart e udhëheqësve politikë ka qenë vendimtar për nënshtrimin e shërbimeve ndaj interesave të pushtetit.

Në intervistë, ai ka përmendur edhe ish-drejtorin e Federatës së Futbollit të Serbisë, Sllaviša Kokezën, si dhe ish-ministrin e Brendshëm, Nebojsha Stefanoviqin.

Preleviq ka pretenduar se të dy kishin pasur lidhje të rëndësishme me Vuçiqin dhe se, pavarësisht akuzave që ai i lidh me ta, nuk ishin përballur me procedura penale.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për rastin e ish-sekretares së shtetit në Ministrinë e Brendshme, Dijana Hrkaloviq, duke vënë në pikëpyetje ndryshimin e deklaratave të saj pas ndërrimit të avokatit dhe lirimin e saj.

Këto deklarata janë pjesë e vlerësimeve dhe pretendimeve të Preleviqit në intervistë.

Pegasus dhe pyetjet për mbikëqyrjen e Oliver Ivanoviqit

Në fund të intervistës, Preleviq është kthyer te çështja e dosjeve të shërbimeve të sigurisë, duke thënë se publikimi i tyre mund të zbulojë informacione me pasoja të mëdha politike.

Ai ka kërkuar që të sqarohet nëse BIA ka qenë e përfshirë në blerjen e programit spiun “Pegasus”, i cili, sipas tij, u shitet vetëm shteteve dhe mund të përdoret pa përfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Preleviq ka ngritur mundësinë që në këtë proces të kenë qenë të përfshira edhe Agjencia e Inteligjencës Ushtarake (VOA) ose Agjencia e Sigurisë Ushtarake (VBA).

Ai nuk ka paraqitur si fakt përfshirjen e ndonjërës prej këtyre strukturave, por ka kërkuar që kjo çështje të hetohet dhe të marrë përgjigje.

Një tjetër pyetje që ai e ka cilësuar me rëndësi lidhet me Oliver Ivanoviqin, liderin politik të serbëve të Kosovës, i cili u vra në janar të vitit 2018 në veri të Mitrovicës.

Preleviq ka përmendur emrin e Marko Parezanoviqit, duke kërkuar që të sqarohet nëse Ivanoviqi ishte nën masa të mbikëqyrjes në kohën e vrasjes dhe, nëse po, kush e kishte urdhëruar një gjë të tillë.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen se kush kishte përfituar para nga Telekomi i Serbisë dhe kur ishin bërë këto pagesa, duke i lidhur këto çështje me nevojën për hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e marrëdhënieve mes institucioneve dhe strukturave të pushtetit.

Preleviq ka përfunduar se ndryshimi i emrave të institucioneve apo emërimi i drejtuesve të rinj nuk mjafton për të ndryshuar raportet e fuqisë në Serbi.

Sipas tij, pa reformë të thellë të shërbimeve të sigurisë, pa përgjegjësi për shkeljet e së kaluarës dhe pa kontroll të pavarur institucional, strukturat që kanë ushtruar ndikim gjatë viteve mund të vazhdojnë të mbijetojnë edhe pas një ndryshimi politik./The GeoPost

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.