Osmani i reagon Baton Haxhiut për komentet ndaj Rugovës: Shpifje të ulëta nga ata që mund ta kenë parë Stanishiqin si bashkëpunëtor

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar gazetarit Baton Haxhiu pas deklaratave të tij për rolin e presidentit historik Ibrahim Rugova.

Pa ia përmendur drejtpërdrejt emrin, Osmani iu referua pretendimit se meritat e Rugovës përfunduan në vitin 1994, si dhe deklaratave të bëra për raportet e tij me regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin”, ka shkruar Osmani.

Reagimin e saj, Osmani e ka titulluar “Rreth përpjekjeve të koordinuara për ta denigruar rolin e presidentit Rugova”.

Ajo ka theksuar se Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës dhe se roli i tij historik nuk mund të ndahet nga asnjëra prej periudhave vendimtare të vendit.

“Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka thënë se gjatë mandatit të saj pesëvjeçar si presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ishte përmendur vazhdimisht kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe të aleancave ndërkombëtare.

“Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e Kosovës në kohën kur ato ishin të ndaluara dhe kontribuoi në krijimin e celulave të para të rezistencës së armatosur.

“Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë”, ka deklaruar ajo.

Osmani i ka cilësuar shpifje të ulëta pretendimet për lidhje të Rugovës me Millosheviqin. Ajo ka reaguar edhe ndaj deklaratave për bashkëshorten e presidentit historik, Fanë Rugova.

“Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka rikujtuar se Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi serb dhe se gjatë luftës ishte mbajtur nën kontrollin e forcave të Millosheviqit.

“Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar”, ka theksuar ajo.

Osmani ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të atyre që i ka quajtur “shpifës recidivistë”.

“Po ua përsëris: Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës sonë! Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë”, ka përfunduar Osmani.

Positimi i saj i plotë:

RRETH PËRPJEKJEVE TË KOORDINUARA PËR TA DENIGRUAR ROLIN E PRESIDENTIT RUGOVA

Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë.

Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin.

Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij.

Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova.

Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar.

Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme.

Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË!

Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.