“Kopili juaj” – “Babën e ka në Zajaz”: BDI dhe VLEN përplasen ashpër për Alta Bankën e Serbisë

Përplasja ndërmjet Bashkimit Demokratik për Integrim dhe koalicionit VLEN për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut është ashpërsuar me akuza të ndërsjella rreth përgjegjësisë politike dhe institucionale.

BDI-ja pretendon se funksionarët e VLEN-it, si pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, kanë nënshkruar dokumentet që i hapën rrugë shitjes së Stopanska Bankës – Manastir tek Alta Banka e Beogradit.

Sipas BDI-së, VLEN-i po përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë te qeveria e mëparshme, duke iu referuar një vendimi të vitit 2023 që lidhej me disa aksione të bankës.

“Përmendin shitjen, në vitin 2023, të disa aksioneve të Stopanska Bankës – Manastir, sikur atëherë dikush mund ta dinte se në vitin 2025, Qeveria e VMRO-së dhe VLEN-it do të nënshkruante vendimin për shitjen e bankës te Alta Banka e Beogradit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti ka kërkuar përgjigje se si Alta Banka hyri në tregun e Maqedonisë së Veriut gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

“Nëse BDI-ja e solli Alta Bankën, si hyri ajo në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes suaj? Si e lejuan hyrjen institucionet që drejtoni ju?”, ka pyetur BDI-ja.

Partia e Ali Ahmetit pretendon se kishte paralajmëruar më herët për lidhjet e dyshuara të kësaj banke me të ashtuquajturën “Bota Serbe”, por se Qeveria nuk i kishte marrë parasysh këto shqetësime.

“Ju paralajmëruam. Ju e dinit. Ju i morët vendimet. Ju i vutë firmat. Tani mos kërkoni fajtorin në derë të huaj! Alta Bankën nuk e solli era. Ia hapët derën ju!”, thuhet në reagim.

BDI-ja e ka mbyllur reagimin me një gjuhë të ashpër ndaj koalicionit shqiptar në pushtet.

“Alta Banka është kopili juaj dhe kopilin tuaj nuk mund ta lini në derë të huaj!”, ka deklaruar BDI-ja.

VLEN-i: “Kopili” e ka babanë politik në Zajaz

Ndaj këtij reagimi është kundërpërgjigjur VLEN-i, duke pretenduar se përgjegjësia politike për depërtimin e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut i takon BDI-së dhe udhëheqësit të saj, Ali Ahmeti.

“‘Kopili’ e ka babën politik në Zajaz!”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni në pushtet ka përmendur qëndrimet e BDI-së ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, duke thënë se partitë që sot përbëjnë VLEN-in e kishin kundërshtuar këtë projekt dhe kishin mbështetur Procesin e Berlinit.

“Nuk e kanë harruar kush e promovonte, kush e mbronte dhe kush ishte i gatshëm ta sakrifikonte edhe interesin e Kosovës për një projekt të Aleksandar Vuçiqit”, ka deklaruar VLEN-i.

Sipas këtij koalicioni, Alta Banka i ka “baballarët politikë” te ministrat e BDI-së, të cilët, siç pretendohet në reagim, kishin propozuar dhe votuar vendime qeveritare që lidheshin me këtë bankë.

VLEN-i ka përmendur edhe 11 takimet e ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, në Beograd, hyrjen e kompanisë serbe MTEL në treg, projektin e biznesmenit serb Daka Davidoviq në Tetovë, projektet infrastrukturore me Serbinë dhe dhënien e shtetësisë oligarkut Oleksandr Onishçenko.

“Alta Banka, MTEL-i, projektet me biznesmenët serbë dhe agjenda e Beogradit nuk janë krijuar nga VLEN-i. Janë pjesë e trashëgimisë politike të BDI-së”, thuhet në reagim.

Në fund, VLEN-i i ka kërkuar Ali Ahmetit të largohet nga politika.

“Ali Ahmeti, mjaft më! Mos u përpiq t’ua mohosh atësinë politike vendimeve që i ke mbështetur për vite me radhë. Jep dorëheqje dhe pensionohu nga politika!”, ka deklaruar koalicioni.

Përplasja ndërmjet dy blloqeve politike shqiptare ka shpërthyer pas debatit se cila qeveri dhe cilët funksionarë i hapën rrugë institucionale Alta Bankës së Beogradit për të hyrë në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut. Të dyja palët pretendojnë se dokumentet dhe vendimet qeveritare e vendosin përgjegjësinë te kundërshtari politik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.