
Publicistja Kimete Berisha ka reaguar ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në rastin për pengim të drejtësisë, duke pretenduar se ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi është ngritur një “grackë” dhe është zhvilluar një “eksperiment çnjerëzor”.
Berisha ka ngritur pikëpyetje për faktin se disa prej të akuzuarve janë dënuar, ndërsa të tjerët janë shpallur të pafajshëm për akuza të ndërlidhura.
Sipas saj, aktgjykimi mbështetet edhe në biseda të përgjuara, pjesë të të cilave nuk janë kuptuar plotësisht. Ajo argumenton se një fjali e përgjysmuar mund të ketë kuptim krejtësisht tjetër dhe se paqartësitë gjuhësore mund të çojnë në përfundime të gabuara.
“Hashim Thaçi është viktimë e imagjinatës së Gjykatës”, ka shkruar Berisha, duke pretenduar se ndaj tij janë gjykuar edhe qëllimet dhe veprimet që supozohet se mund të ketë dashur t’i ndërmarrë.
Publicistja ka pyetur gjithashtu se përse institucionet e drejtësisë nuk e kishin ndërprerë menjëherë ndërhyrjen e pretenduar, nëse kishin vlerësuar se dëshmitarët ndodheshin në rrezik.
Ajo pretendon se Thaçi ishte përgjuar për muaj me radhë, ndërsa veprimet e dyshuara ishin lënë të vazhdonin për të grumbulluar material kundër tij.
“Me Thaçin u bë një eksperiment çnjerëzor. Një njeri që lihet të gabojë, ndërsa gabimet e tij regjistrohen”, ka shkruar ajo.
Berisha ka përfunduar se Gjykata Speciale, sipas vlerësimit të saj, e kishte lejuar të ndodhte gabimi për ta përdorur më pas si provë kundër ish-presidentit.



