
Profesori Milazim Krasniqi ka reaguar pas dënimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke pretenduar se Perëndimi e ka tradhtuar atë.
Krasniqi ka tërhequr paralele me operacionet e CIA-s dhe shërbimit britanik MI6 kundër regjimit komunist në Shqipëri gjatë viteve 1949-1952.
“Perëndimi di t’i tradhtojë miqtë e vet. Ka ndodhë edhe para se ta tradhtonin Hashim Thaçin”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka rekomanduar librin “Operacioni shqiptar i CIA-s dhe MI6-it, 1949-1952”, të autorit Nicholas Bethell, i cili trajton operacionet e fshehta për rrëzimin e regjimit komunist shqiptar.
“Lexojeni librin ‘Operacioni shqiptar i CIA-s dhe MI6-it, 1949-1952’, me autor Nicholas Bethell, dhe e keni më të qartë. Ai sjell dëshmitë tronditëse të tragjedisë që u ndodhi atdhetarëve shqiptarë, të cilët ishin aleatë besnikë të Perëndimit”, ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, shqiptarët e përfshirë në këto operacione ishin përdorur për synimet e fuqive perëndimore, por në fund ishin tradhtuar dhe sakrifikuar.
“Ata u përdorën në operacione për rrëzimin e regjimit komunist, por në fakt u tradhtuan dhe u sakrifikuan tmerrësisht”, ka përfunduar Krasniqi.



