
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me grupin punues për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit në Hagë, është takuar me presidenten Justina Shiroka-Pula.
Çitaku e ka falënderuar presidenten për mbështetjen dhe gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për mbrojtjen e të dënuarve në procesin e apelit.
“Sot, bashkë me grupin punues për mbrojtjen e çlirimtarëve në fazën e apelit në Hagë, takuam Presidenten Justina Shiroka-Pula. E falënderova për mbështetjen e parezervë dhe gatishmërinë për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kërkuar që uniteti politik dhe institucional të dëshmohet përmes veprimeve dhe mbështetjes konkrete.
“Tani është koha që unitetin politik e institucional ta dëshmojmë me veprime dhe mbështetje konkrete për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka thënë se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë ish-krerëve të UÇK-së dhe ta mbrojnë të vërtetën për luftën çlirimtare.
“Do të qëndrojmë pranë tyre në betejën për drejtësi dhe do ta mbrojmë me vendosmëri të vërtetën për luftën e drejtë të UÇK-së. Deri në kthimin e tyre të lirë në atdhe!”, ka përfunduar Çitaku.



