Osmani i reagon ashpër Valon Sylës: Zoti ju marroftë, nuk do ta ndryshoni të vërtetën duke njollosur viktimat

Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Valon Syla, pas deklaratave të tij për veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e presidentit historik Ibrahim Rugova, shkruan Gazeta Politika.

Osmani ka thënë se në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët u detyruan të dëgjonin në një studio televizive etiketime të rënda ndaj figurave të vrara të LDK-së.

“Në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët e Kosovës detyrohen të dëgjojnë në studio televizive një tjetër ligësi: atdhetarët më të spikatur të këtij vendi, veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit Rugova, të etiketohen si UDB-ashë”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, urrejtja ndaj LDK-së ka arritur deri në atë pikë sa të njollosen edhe personat e vrarë, vetëm pse kërkohet e vërteta dhe drejtësia për rastet e pazbardhura.

Osmani ka thënë se gjuha dhe etiketimet e përdorura sot ndihmojnë për të kuptuar se çfarë e kishte ushqyer urrejtjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së.

“Të kërkosh drejtësi për të vrarët nuk është përçarje. Përçarje është të njollosësh viktimat, të arsyetosh krimet dhe të heshtësh përballë vrasjeve”, ka theksuar ajo.

Në fund, Osmani ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj atyre që, sipas saj, vazhdojnë ta helmojnë opinionin publik dhe ta arsyetojnë tragjedinë e vëllavrasjes.

“Zoti ju marroftë, o përçarës! As pas kaq shumë vitesh nuk u ngopët me urrejtje, me helmimin e opinionit publik dhe me justifikimin e tragjedisë së vëllavrasjes. Nuk do ta ndryshoni dot të vërtetën duke njollosur viktimat. Dhe nuk do ta ndalni kërkimin e drejtësisë duke fyer të vrarët”, ka përfunduar Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.